Policia britanike ka goditur një grup të strukturuar kriminal pas bashkëpunimit edhe me policinë shqiptare.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë vënë në pranga nga policia britanike dy shtetas shqiptarë, Daniel Çela, 23 vjeç dhe Danjel Ibrushi, 25 vjeç, për kultivim të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura në Angli, si dhe procedohet pronari i banesës që ua kishte dhënë banesat me qira dy të rinjve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi bimësh narkotike që kultivoheshin me llamba në ambiente të mbyllura. Çatitë e shtëpive i kishin veshur me materiale qe nuk e përçojnë nxehtësinë, me qëllim që të mos identifikoheshin nga Policia, gjatë monitorimeve me dron me sensor për nxehtësinë
Prej muajit korrik të vitit 2019, Derbyshire Police i ka kërkuar Policisë shqiptare asistencë dhe informacion lidhur me një grup të strukturuar kriminal, në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike (cannabis sativa) që vepronte në Creswell dhe Clowne.
Pas bashkëpunimit me policinë shqiptare, policia britanike arrestoi në flagrancë, në pronat në Clowne dhe Creswell, shtetasit: Daniel Çela, 23 vjeç dhe Danjel Ibrushi, 25 vjeç, nga Shqipëria. Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe pronari i banesave që ua kishte dhënë me qira banesat dy shtetaseve të mësipërm, konkretisht 64-vjeçari nga Leicesteri.
Gjatë periudhës korrik–dhjetor 2019, nga Derbyshire Police janë vënë në pranga edhe 8 shtetas të tjerë shqiptarë.