Erion Isufi, kunati i shefit të opozitës, Lulzim Basha, ka paditur për shpifje dhe fyerje kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Erion Isufi e ka depozituar padinë e tij në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin dhe Organizuar.
Isufi ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme të shpallë fajtor pasi ky i fundi ka deklaruar se pala paditëse zotëronte katër vila.
Motivi që Isufi pretendon se e ka shtyrë Veliajn, si drejtues i fushatës së PS-së në Tiranë, të hedhë akuza të tilla me qëllim që të dëmtojë perceptimin e publikut për viktimën e akuzave si familjar i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Kryebashkiaku i Tiranës e sulmoi Erion Isufin një ditë më parë gjatë një takimi me banorë të Laprakës. Veliaj, tha se nga njëra anë Lulzim Basha flet për varfërinë, e nga ana tjetër aplikon në bashki për të marrë leje për të ndërtuar një vilë tjetër.
“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një konteiner për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, tha Veliaj.