Në ndeshjen kundër Ferencvarosit mbrëmjen e së martës, ku shënoi edhe sulmuesi i kombëtares sonë, Myrto Uzuni, Juventusi bëri diçka që nuk e kishte bërë kurrë në historinë e tij 123-vjeçare.
Për herë të parë pas 4371 ndeshjesh, bardhezinjtë zbritën në fushë pa asnjë italian në fazën mbrojtëse: Wojciech Szczesny (polak) ishte portier, ndërsa para tij luajtën Juan Guillermo Cuadrado(kolumbian), Alex Sandro (brazilian), Matthijs De Ligt (holandez) dhe Danilo (brazilian).
Një fazë mbrojtëse jetime nga italianët, që e bëri atë të së martës një formacion historik për “Zonjën e Vjetër”, që vështirë të përsëritet këtë sezon, pasi Bonucci dhe Chiellini u dëmtuan njëkohësisht, ndërsa edhe Gigi Buffon nuk ishte në listë për shkak të dëmtimi.