Kupa e Shqipërisë rezervoi disa rezultate surprizë në takimet e para, të cilat do të përcaktojnë shumë mbi rrugëtimin në grupet A dhe B të trofeut të dytë për nga rëndësia, në futbollin tonë.
Kështu, tri skuadra të Kategorisë Superiore kanë pësuar humbje dhe rrezikojnë kalimin në raundin tjetër, për shkak të paraqitjeve të dobëta ndaj rivalëve të kategorive inferiore.
Vllaznia fitoi 2-1 ndaj Kamzës, në një ndeshje ku nuk u dekurajua nga disavantazhi, por përmbysi rezultain në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Në të parin aksion të vërtetë, ekipi nga periferia e kryeqytetit prishi ekuilibrat me Mehmetin, por shkodranët u dukën një ekip tjetër pas pushimit. Marku barazoi rezultatin me një goditje me kokë, brenda zonës, ndërsa Zhunior i dha fitoren Vllaznisë, falë edhe gafës së portierit Avdyli.
Kukësi u rezervoi tifozëve një surprizë të hidhur me humbjen 2-1 ndaj Apolonisë, madje fierakët morën një avantazh komod, përpara se Etemi të rihapte llogaritë dhe kualifikimin. Surprizë mund të quhet edhe rënia e Laçit në fushën e Bylisit. Ballshiotët u imponuan 2-0, me golat që erdhën pas pushimit.