Kryesore Kuqezinjtë e inaugurojnë me humbje stadiumin e ri, fitojmë në tribuna (FOTO)

Kuqezinjtë e inaugurojnë me humbje stadiumin e ri, fitojmë në tribuna (FOTO)

Franca i prish festën e inaugurimit të stadiumit të ri “Air Albania” Shqipërisë. Gjelat treguan superioritetin e tyre ndaj kuqezinjve të Rejas duke fituar 0-2 në një ndeshje të luajtur më mirë dhe të zgjidhur shumë shpejt nga skuadra e Didier Deschamps. Tolisso në minutën e 9-të dhe Griezmann në minutën e 30-të shënuan dy golat e fitores për kampionët e botës të cilët goditën edhe një shtyllë me Giroud në pjesën e dytë. Shqipëria nuk arriti tu jepte as kënaqësinë e festimit të golit të parë në stadiumin e ri tifozëve kuqezi të cilët krijuan një atmosferë vërtetë fantastike.

Për Shqipërinë vetëm 13 pikë pas 10 ndeshjesh. Nuk ka rekord pikësh për kuqezinjtë të cilët i mbyllën në vendin e 4-t dhe në mënyrën më të keqe të mundshme këto eliminatore.

Inaugurimi

Atmosfera në impiant pak minuta para fillimit të sfidës ishte vërtetë elektrizuese. Tifozët që kishin mbushur shkallët u mahnitën nga performanca e 430 fëmijëve që krijuan një atmosferë fantastike me shfaqjen e tyre, ndërsa më pas skenën e morën këngëtarët shqiptarë, Flori Mumajesi, Aurela Gaçe dhe Era Istrefi me këngët “Kuqezi”, “Xhamadani Vija Vija” dhe “Live It Up.

Himnet kombëtare të dy shteteve u kënduan gjithashtu nga dy këngëtare me famë shqiptare si Besa Kokëdhima që këndoi Marsejezën e famshme dhe Juliana Pasha që këndoi himnin shqiptar. Më pas performanca e këngëtarëve i la vendin asaj të tifozëve që me një koreografi fantastike pritën hyrjen e lojtarëve në fushë.