Adolf Hitler ishte i varur nga kokaina dhe drejtoi pushtimin e Rusisë ndërsa ishte i droguar, zbulon historiani Giles Milton në librin e tij.
Milton flet për varësinë e Hitlerit ndaj 80 llojeve të ndryshme të drogës. Koleksioni i veprave të reja të Milton flet për histori të vërteta interesante rreth aventurave, vrasjeve dhe spiunazheve – nga ata që vranë Rasputin, tek misteri i madh i Agatha Christie. Më poshtë do të lexoni fragmentin nga “Kur Hitleri merrte kokainë”.
“Injeksionet fillonin herët pas ngrënies së mëngjesit. Sapo mbaronte ushqimin e tij, Adolf Hitleri, thërriste mjekun personal, Theodor Morell.
Doktori i ngrinte mëngën e bluzës në mënyrë që t’i injektonte përzierjen e drogërave, shumica e të cilave sot konsiderohen si të rrezikshme dhe të jashtëligjshme.
Çdo ditë, për më shumë se 9 vjet, Dr. Morell i injektonte disa lloje drogërash, në aq sasi të mëdha sa ai u bë i njohur si Mjeku i Injeksioneve. Disa njerëz të afërt të Hitlerit frikësoheshin se mos ai kërkonte që ta vriste Fyhrerin me injeksione të tilla.
Por Theodor Morell ishte shumë i përkushtuar ndaj Hitlerit dhe as që e mendonte ta vriste atë. Ai ishte një mjek i shëndoshë, i cili e takoi për herë të parë Fyhrerin gjatë një feste në Berghof. Hitleri kishte vuajtur prej një kohe të gjatë nga problemet shëndetësore, përfshi dhimbjet e stomakut, diarrenë, e shumë sëmundje të tjera.
Gjendja e tij u rëndua nga dietat e pazakonta ushqimore. Ai hoqi dorë nga mishi në vitin 1931. Që nga ai vit e më vonë, ai ushqehej vetëm me perime e zarzavate. Dr Morell e pa Fyhrerin të hante një vakt të tillë dhe më pas studioi pasojat. Por duke parë problemet që Hitleri kishte, ai e siguroi se kishte disa ilaçe që arrinin të bënin mrekullira dhe mund ta kuronin atë nga të gjitha problemet.
Ai në fillim i dha disa tableta Fyhrerit. Hitleri merrte 16 të tilla në një ditë, por në fillim nuk ishte në dijeni që ato përmbanin sasi të mëdha striknine, të cilat edhe pse e lehtësonin përkohësisht e bënin atë të humbiste vëmendjen.
Më pas Morell i gjeti një ilaç tjetër që do ta stabilizonte Fyhrerin me problemet e zorrëve. Në të vërtetë, Hitleri ishte aq i kënaqur me punën e mjekut të tij sa që e ftoi atë t’i bashkohej rrethit të brendshëm të elitës naziste. Që nga ai moment Dr Morell qëndroi gjithnjë në krahun e tij.
Hitleri vuante edhe nga dhimbjet e stomakut, por pas ilaçeve që doktori i tij i injektonte, brenda pak minutash, ai arrinte të çohej nga krevati i tij plot energji.
Doktori Ernst-Gunther Schensck, filloi të kishte dyshime rreth kurave që bënin mrekulli të dr. Morell dhe arriti të merrte një prej tabletave. Kur ato u testuan në laborator, u zbulua se ishin amfetaminë.
Por për aq kohë sa këto ilaçe bënin punë, për Hitlerin gjë tjetër nuk kishte rëndësi. U bë aq i varur nga ilaçet e dr. Morell sa erdhi një moment sa i la të gjitha problemet e tij shëndetësore në duart e doktorit të tij, me pasoja afatgjata shkatërrimtare. Ai e drejtoi pushtimin e Rusisë Sovjetike ndërsa kishte marrë më shumë se 80 lloje drogërash të ndryshme, përfshi testosterone, qetësues, opium etj. Sipas shënimeve të doktorit ai gjithashtu i kishte injektuar morfinë.
Por droga më surprizuese që Dr Morell i kishte dhënë Fyhrerit ishte kokaina. Ajo përdorej herë pas herë për sëmundje të ndryshme në Gjermaninë e viteve ‘30, por gjithnjë në doza shumë të vogla. Morell filloi t’ia hidhe kokainën edhe me pika në sy Fyhrerit. Duke qenë se Hitleri ndihej më mirë kur merrte këto ilaçe, ai e shtonte sasinë e kokainës 10 herë më shumë. Ndoshta për shkak të kësaj mbidoze, Hitleri filloi të shfaqte sjellje të çuditshme disa vite më vonë.
Hitleri e shihte kokainën si diçka shumë efikase. Sipas disa dokumenteve mjekësore, që dolën në dritë në Amerikë në vitin 2012, Hitleri filloi të bëhej i varur nga droga. Përveç se me pika në sy, ai filloi ta thithte kokainën pluhur me hundë, për të pastruar sinuset dhe për të qetësuar fytin.
Kokaina mund t’i shkaktonte një ndjenjë mirëqenieje Hitlerit, por nuk i bëri asnjë efekt për t’i rritur aktivitetin e tij seksual. Për të kaluar këtë siklet, Morell filloi t’i jepte injeksione burrërie. Hitleri gjithnjë injektohej përpara se të kalonte një natë me Eva Braun.
Duke qenë se u bë i varur pas ilaçeve dhe marrja e tyre për një kohë të gjatë, më vonë diktatori filloi të kishte probleme shëndetësore. Një gjë e tillë u vu re gjatë takimit të Hitlerit me Musolinin në Italinë Veriore. Ndërsa Hitleri përpiqej ta bindte homologun e tij italian të mos ndryshonte anë në luftë, ai u bë papritur histerik.
Teksa lufta po i afrohej fundit, Hitleri nuk ishte mirë me shëndet. I varur nga ilaçet, krahët e tij ishin të mbushura me shenja shpimesh, nga injektimet që doktor Morell i bënte. Eva Braun e akuzonte këtë të fundit, duke i thënë se ishte thjesht një “sharlatan injeksionesh”. Ai e kishte kthyer Hitlerin në një të droguar. Por nga ana tjetër, doktori i qëndroi afër Fyhrerit të tij deri në moment të fundit, në bunkerin e tij në Berlin.
Morell u kap nga amerikanët shumë shpejt pas rënies së Rajhut të Tretë dhe u mor në pyetje për më shumë se dy vjet.
Morell nuk u akuzua kurrë për krime lufte dhe vdiq nga një infarkt në vitin 1948, pak kohë pas lirimit të tij nga burgu. Ai la prapa një disa shënime mjekësore, që zbuluan varësinë ndaj drogës të pacientit të tij të preferuar.