Hasan Bello
Kur janë kontaktet e para të shqiptarëve me amerikanët?
Kontaktet e para të shqiptarëve me amerikanët në periudhën moderne të historisë së popullit shqiptar nisin me valët emigratore të një numri të konsiderueshëm punëtorësh nga Shqipëria Juglindore. Duke nisur nga fundi i shek.XIX dhe fillimi i shek.XX kemi një shpërngulje të vazhdueshme të shqiptarëve drejt SHBA-së për arsye ekonomike. Këta emigrantë do të formojnë bërthamat e para të diasporës shqiptare.
Ndërsa një nga amerikanët e parë që erdhi në vendin tonë për arsye pune, ose më saktë fetare, ishte Fineas Kenedi dhe më pas miku i madh i shqiptarëve, Çarls Telford Erikson. Ky i fundit mbërriti në Korçë më 5 tetor të vitit 1908, duke u bërë dëshmitar okular i jehonës dhe ndikimit të Revolucionit Xhonturk në vendin tonë dhe i të gjithë Lëvizjes Kombëtare në vitet 1908-1912, e cila u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit të parë kombëtar.
Kontaktin e parë, Eriksoni e pati me familjen Qiriazi, me të cilët nisi punën për shtimin e aktivitetit fetar protestant në disa qytete të Shqipërisë. Që në ditët e para, atij i bëri përshtypje prapambetja materiale e popullit shqiptar dhe ndikimi grek në Shqipërinë e Jugut. Greqia kishte shpresë se me rënien e Perandorisë Osmane, me anën e propagandës do t`i bindte shqiptarët për t`u bashkuar me shtetin grek. Kjo, sipas tij, mbështetej dhe nga lobi grek në Amerikë, i cili përpiqej që shqiptarët t`i krahasonte me indianët e Komançës.
Me shpërthimin e LPB, me 1 prill 1915 ai u vendos së bashku me familjen e tij në Bari nga ku shkroi një sërë artikujsh në favor të Shqipërisë. Në këtë periudhë, Eriksoni hartoi edhe një broshurë për historinë e vendit tone, e cila i drejtohej opinionit publik dhe politikës amerikane. Gjithashtu, Erikson u angazhua me Kryqin e Kuq Amerikan për të ndihmuar viktimat e luftës dhe familjet në nevojë; për këtë u gradua major dhe u caktua si kujdestar i Komisionit “Mëma Mëshirëplotë” e Amerikës në Shqipëri.
Po në mbarim të LPB, kur u mblodh Konferenca e Paqes në Paris dhe do të vendosej fati i ardhshëm i Shqipërisë, cili ishte roli i politikës amerikane dhe i Presidentit Willson?
Në këtë periudhë, përsa i përket palës amerikane do të ishte përsëri Eriksoni, i cili do të luajë një rol aktiv për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar. Ai hartoi një memorandum, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shoqërinë patriotike të shqiptarëve të SHBA-së, “Vatra”, ku paraqet argumentet historike, politike dhe juridike të ekzistencës së popullit shqiptar. Madje, Eriksoni dhe një figurë tjetër interesante në këtë periudhë, Esat Pashë Toptani, ishin dy personalitete që kërkuan vendosjen e protektoratit amerikan mbi shtetin shqiptar.
Në nderim të qëndrimit që Eriksoni kishte mbajtur gjatë Konferencës së Paqes në vitet 1919-1920, pas Kongresit të Lushnjes, kur filloi funksionimi i institucioneve kushtetuese të shtetit shqiptar, ai u ftua nga drejtuesit e kohës për të mbajtur një fjalim në Parlamentin tonë, në të cilin, deklaroi: “Shqipëria e ka provuar miqësinë me shumicën e shteteve të Europës dhe s’ka gjetur asnjë që të mos sakrifikojë interesat vitale të Shqipërisë, përballë interesave të veta. Pse të mos provojë edhe njëherë miqësinë e Amerikës, e cila sot është më i forti shtet i botës dhe, nga ana tjetër, nuk ka interesa kundër ekzistencës së shqiptarëve?”.
Lidhur me qëndrimin e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris dhe presidentin Willson, duhet të theksohet se fillimisht ky delegacion mbështeti projektin e copëtimit të Shqipërisë. Por qëndrimi i tyre ndryshoi pasi jugosllavët tërhoqën pretendimet territoriale mbi shtetin shqiptar, sepse nuk donin të kishin shtet kufitar Italinë. Kjo, si dhe takimet që delegacioni amerikan zhvilloi me Esat Pashën, Eriksonin dhe përfaqësues të tjerë të delegacioneve shqiptare, bëri që amerikanët të tërhiqeshin nga plani fillestar.
Po pas Kongresit të Lushnjes në vitin 1920 si evoluan këto marrëdhënie?
Fillimisht prezenca amerikane në Shqipëri vazhdoi të ishte e pranishme me anën e Eriksonit dhe më pas edhe të Harry Fultzit, i cili në vitin 1922 u caktua drejtor i Shkollës Teknike në Tiranë. Eriksoni në vitin 1923 kërkoi nga qeveria shqiptare hapjen e një shkolle bujqësore dhe të Arteve Mekanike në Golem të Kavajës. Kjo leje jo vetëm që u akordua, por shkollës amerikane iu dhurua edhe një sasi e konsiderueshme toke që do të përdorej për nevojat praktike të nxënësve. Shkolla në fjalë i kurseu shuma të konsiderueshme shtetit shqiptar, sepse ai nuk kishte nevojë të dërgonte specializantë jasht shtetit.
Në këto shkolla u farkëtua një elitë që presupozohej të merrte në dorë fatet e kombit dhe të shtetit. Por ardhja e komunizmit bëri që pas vitit 1945, ata që kishin studiuar në këto shkolla të burgoseshin dhe të shkonin në plumb. A ishte ky skenar i përgatitur jashtë Shqipërisë? Apo thjesht paranojë e regjimit komunist ndaj të shkolluarve? Sipas meje të dyja bashkë.
Kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të?
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së zyrtarisht janë vendosur më 28 korrik 1922. Ndërsa përpjekjet kanë filluar që në 27 mars 1920, kur Departamentit të Shtetit iu dorëzua një kërkesë nga Kostandin Çekrezi, nënshkruar kjo nga kryeminstri Sulejman Delvina dhe ministri i Jashtëm, Mehmet Konica. Më 7 qershor 1922, kjo kërkesë u përsërit nga kryeministri Xhafer Ypi. Sipas disa të dhënave, një kontribut ka dhe Gjergj Fishta, i cili në këtë periudhë ndodhej në Amerikë dhe loboi tek disa senatorë katolikë. Paraprakisht, amerikanët dërguan një diplomat, Maxwell Blake për të vëzhguar stabilitetin politik dhe mundësinë investimeve të kapitalit amerikan. Raporti që ai përgatiti ishte mjaft pozitiv në aspektin ekonomik. Pyjet dhe nëntoka shqiptare ishin të pashfrytëzuara, burimet hidrike dhe mungesa e rrjetit elektrik shtonin mundësinë e investimeve të firmave amerikane. Kjo bëri që ministri i Tregtisë, Herbert Huver, të ndërhynte te ministri i Jashtëm, Charles E.Hughes, për të dërguar në Shqipëri një përfaqësues.
A mund të thoni diçka lidhur me vrasjen e dy tregtarëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit më 6 prill 1924?
Vrasja e dy tregtarëve apo turistëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit duhet parë në dy plane. Kjo për shkak se në këtë periudhë në Shqipëri konflikti mes pozitës dhe opozitës së kohës kishte arritur kulmin. Mjaftonte vetëm një pretekst i vogël që vendi të shkonte drejt luftës civile. Ky ishte sfondi i brendshëm historik. Ndërsa destabilizimi dhe denigrimi i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare i interesonte në radhë të parë Jugosllavisë. Prandaj, vrasja e amerikanëve në Mamurras ndodhi me ndërhyrje nga jashtë. Në arkiva ka dokumente të Ministrisë së Brendshme që hedhin plotësisht dritë lidhur me këtë ngjarje. Mirëpo opozita e kohës e shfrytëzoi atë për të luftuar qeverinë, e sidomos Ahmet Zogun dhe ngjarja mori krejtësisht ngjyrim politik.
Po gjatë periudhës mes viteve ’20-’30 deri në prag të pushtimit të Shqipërisë, si kanë qenë këto marrëdhënie?
Në vitet kur Ahmet Zogu ishte president e më pas mbret i Shqipërisë, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë normale. Zogu u përpoq të afrohej akoma më tepër me SHBA, por në këtë periudhë skenën politike botërore dhe këtë rajon e dominonte Britania e Madhe.
Sidoqoftë, Zogu caktoi në SHBA si përfaqësues të Shqipërisë një personalitet të njohur e poliedrik si Fak Konica, i cili la gjurmë pozitive për promovimin e kombit shqiptar gjatë takimeve me diplomatë perëndimorë.
Po gjatë viteve të LDB si ishin këto relata?
Gjatë viteve të LDB nuk kemi ndonjë zhvillim të veçantë. Kjo sepse Ministria jonë e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike u suprimuan duke kaluar nën varësi të Italisë. Por ajo që dua të theksoj është se kur japonezët sulmuan bazën detare amerikane të Perl Harbor-it, SHBA hynë në luftë me fuqitë e Boshtit dhe qeveria kuislinge e Mustafa Krujës nën shembullin e Italisë i shpalli luftë SHBA. Kjo formalisht pasi ne ishin të pushtuar. Megjithatë, amerikanët ishin të ndërgjegjshëm për këtë dhe nuk ndoqën shembullin e Greqisë, duke mbajtur në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë.
Një moment tjetër në vitet e LDB lidhur me qëndrimin e Departamentit të Shtetit ndaj të ardhmes së shtetit shqiptar kur të përfundonte lufta ishte deklarata e 11 dhjetorit 1942, sipas së cilës SHBA nuk e kishte njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga Italia dhe restaurimi i pavarësisë së saj ishte rrjedhojë e Kartës së Atlantikut. Kjo deklaratë u bë disa ditë para deklaratë britanike, e cila linte disa ekuivoke lidhur me të ardhmen e shtetit shqiptar.
Po pas instalimit të regjimit komunist si vijojnë këto raporte?
Pas ardhjes së Enver Hoxhës dhe PKSH në pushtet, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane vijnë duke u zbehur nga dita në ditë. Kjo vihej re nga eleminimi i të diplomuarve në shkollat amerikane që shiheshin si agjentë të CIA-s dhe të gjithë atyre që shfaqnin simpati apo takoheshin me përfaqësuesit e misionit amerikan në Tiranë.
Pastaj kemi një fushatë sulmesh në shtyp nga të cilat amerikanët u ndien shumë të fyer. Qeveria amerikane për këtë arsye më 16 shkurt të 1946 i dorëzoi qeverisë shqiptare një memorandum ku shprehte të gjitha shqetësimet e saj lidhur me propagandën e shfenuar që bëhej kundër SHBA-ve.
Pas pak kohësh, misioni amerikan largohet nga Tirana dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ndërprenë.
Kur kemi një përpjekje të rivendosjes së këtyre marrëdhënieve?
Flirtime ka pasur disa here, sidomos kur Shqipëria u shkëput nga Traktati i Varshavës dhe u prish përfundimisht nga BS. Por megjithatë, tentativa të vogla serioze fillojnë duke nisur nga viti 1983, ndërsa vetëm në 1989 kemi një dokument me disa pika lidhur me çështjet që duheshin patur parasysh në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë, SHBA dhe BS.
A ka patur senatorë amerikanë që kanë lobuar në favor të interesave shqiptare gjatë këtyre viteve kur në Shqipëri ishte ende regjimi komunist?
Po ka patur. Në radhë të parë dua të përmend senatorin me origjinë shqiptare dhe kryetarin e lobit shqiptaro-amerikan, Xhozef Dioguardi, i cili në vitet ’80 ka lobuar në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar. Këtu kam parasysh çështjen e Kosovës, e cila ishte në axhendën politike dhe diplomatike të kohës. Por nuk dua të lë pa përmendur edhe një senator konservator amerikan, Jesse Helms, i cili më 7 qershor 1983 mbajti një fjalim në Senat me titull “Ballkani sot, Jugosllavia dhe perspektiva e çlirimit të kombit shqiptar”, ku ndër të tjera i kërkoi qeverisë amerikane të kishte një strategji për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Po kulmi i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kur mund të themi se është arritur?
Kjo fillon me vizitën e Sekretarit të Shtetit, James Baker, më 22 qershor 1991 dhe kulmon me ardhjen e Presidentit Bush më 10 qershor 2007, duke sjellë me vete lajmin se së shpejti Kosova do të shpallej e pavarur.