Përgjithësisht fëmijët janë të prirur për të konsumuar pije me sheqer, duke përfshirë pijet energjike, ose pijet freskuese të ndryshme, apo lëngjet e imituara të frutave. Ekspertët e shëndetësisë në mbarë botën thonë se ky konsumim i tepër i sheqerit lidhet me një rrezik më të madh të sëmundjeve të zemrës, kolesterolit të lartë dhe diabetit të tipit 2. Gjatë vitit të kaluar dhe në vazhdim të këtij vitit Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqata Amerikane e Zemrës, miratuan një sërë politikash qeveritare për të ndihmuar në reduktimin e konsumimit të pijeve të ëmbla. Por natyrisht, prindërit nuk duhet të presin rregullat e qeverisë për të mbrojtur fëmijët e tyre nga konsumimi i produkte që nuk janë të shëndetshme.
Dy institucionet e sipërpërmendura kanë nxjerrë pesë rekomandime për të ndihmuar fëmijët që të konsumojnë sa më pak pije me sheqer, të tilla si tatimi i këtyre pijeve, kufizimi i reklamimit të tyre për adoleshentët dhe fëmijët, duke bërë ujin një zgjedhje parësore për ta dhe përmirësimin e cilësisë së etiketave të të ushqyerit, duke shtuar një informacion më të detajuar, që të cilësojnë pasojat që mund të ketë shëndeti i njeriut duke konsumuar shumë pije të tilla.
“Kjo është një qasje gjithëpërfshirëse për të trajtuar problemin kudo në botë,” shprehet Federico Asch, një kardiolog në Institutin “MedStar Heart & Vascular” në MedStar, Washington.
Sipas tij problemet fillojnë në momentin që njerëzit nuk kanë shumë informacion për dëmin që i shkaktojnë organizmit pije të tilla. Ndër të tjera mjeku shprehet se, është detyre e mjekëve të familjes të japi informacione për konsumimin e ushqimeve që njerëzit të marrin vendimet e duhura. Gjithashtu, Asch thotë se të gjithë duhet të mendohemi dy herë përpara se t’i ofrojmë fëmijëve tanë një pije me sheqer dhe të lexojmë saktësisht etiketën, për të kuptuar sasinë e sheqerit në produktet që blejmë. Instalimi i këtyre proceseve është një projekt që kërkon jo vetëm mbështetjen e shoqatave shëndetësore dhe të qeverisë por dhe miratimin e konsumatorëve. Në qytete të ndryshme Amerikane, ku konsumimi i pijeve me sheqer tatohet, të dhënat statistikore kanë treguar se konsumimi i pijeve me sheqer është ulur me 52 për qind. Ideja e monitorimit, tatimit të pijeve me sheqer mbetet ende e diskutueshme. Gjithmonë do të ketë njerëz që ankohen se qeveria nuk ka të drejtë t’i tregojë prindërve se si t’i ushqejnë fëmijët e tyre, por siç thekson dhe kardiologu Asch, këto masa nuk kanë të bëjnë me ndalimin e njerëzve për të konsumuar pijet me sheqer, apo që organizatat dhe qeveritë të marrin vendime për prindërit. Gjithçka ka të bëjë me një ushqyerje të shëndetshme.
Sipas ekspertëve të shëndetësisë në SHBA, prindërit duhet të mbështesin këto ide të organizatave, të cilat kanë vetëm një qëllim; një jetë të shëndetshme. Por, më e rëndësishmja për prindërit është gjithashtu që të mësojnë fëmijët të duan ujin, pavarësisht se ekzistojnë edhe lëngjet e frutave të cilat mendohet se janë më pak të dëmshme, asnjë gjë nuk është më e shëndetshme për trupin e njeriut sesa uji.
Mjeku kardiolog së bashku me ekspertë të tjerë të Shoqatës Amerikanë të Zemrës, janë shprehur se prindërit duhet të promovojnë sa më shumë ujin tek fëmijët e tyre në forma të ndryshme. Për shembull, krijoni një shishe uji që të jetë argëtuese, duke i ngjitur figurat e parapëlqyera të fëmijëve tuaj. Nëse shishja është e bukur, ai ka më shumë gjasa të përdorë atë sesa pijet që shiten rëndom nëpër dyqane. Kjo gjë do të jetë përfituese edhe për faktin se do të mbroni ambientin, duke mos përdorur shishet plastike.
Por, shpesh herë e dimë që kjo teknikë nuk do të funksionojë sepse fëmijët e dallojnë shijen e pijeve të ndryshme apo lëngjeve të frutave, megjithatë ekspertët edhe për këtë pjesë kanë treguar një teknikë e cila do të jetë shumë e vlefshme për fëmijët tuaj. Në shishen e ujit, ju mund të shtoni pak gjethe nenexhik, një shkop kanelle, ose pak lëng agrumesh, të cilat krijojnë një shije të mirë dhe njëkohësisht të shëndetshme. Një tjetër mënyrë e mirë është që herë pas here të hidhni, edhe copa frutash të ngrira si manaferra ose boronica. Përpos proceseve të ndryshme shtëpiake mund të shkarkoni edhe aplikacione që tregojnë se si të ushqeheni shëndetshëm dhe njëkohësisht janë argëtuese për fëmijët tuaj. Përgjithësisht ekspertët sugjerojnë Plant Nanny ose Drink Water Aquarium.
Së fundmi, duhet të bëni atë që psikologët e përsërisin vazhdimisht, të jeni një model i mirë për fëmijën tuaj, pasi tashmë e dini se ata gjithmonë do të i’u imitojnë në çfarë bëni. /The Washington Post/