Nga Artan Shkreli*
Tërmeti më i rëndë në Shqipëri (i matur) ka qenë në vitin 1851 me epiqendër në Vlorë – bregdet. Ai goditi me 12 tetor, rreth orës 7 të mëngjesit, me një magnitudë prej 6.6 shkalles Richter dhe intensitet të tmerrshëm prej 11 të Merkalit (ku maksimumi është 12).
Qyteti mesjetar u rrafshua thuajse krejtësisht duke mos lënë gjurmë të tij, me përjashtim të xhamisë së fortë Muradie. Kështjella, e dëmtuar më parë me mina nga venedikasit, por kryesisht “torrazzo” e lartë e saj, u shembën keq. Qindra të vdekur, u pasuan nga një braktisje masive e qytetarëve të vjetër. Numri i viktimave do kishte qenë katastrofik nëse nuk do kish patur lëkundje të forta disa orë përpara, që në 2 të mëngjesit, gjë që kish detyruar njerëzit ta kalonin natën jashtë.
U bënë dëme te jashtëzakonshme edhe në Berat i cili humbi thuajse gjithë strukturat me kulla guri që trashëgonte nga mesjeta, por rezistuan strukturat e lehta të stilit osman.
Ky tërmet, që u lajmërua edhe nga mediat europiane, u ndje fort në Greqinë Veriore dhe Italinë e Jugut.
Gravura këtu, ksilografi e ngjyrosur me dorë, është botuar menjëherë pas ngjarjes në gazetën gjermane “Illustrierte Zeitung”, ndera origjinali, pjese e një koleksion privat, sot ruhet në Pragë.
*Marrë nga profili i tij në Facebook