Nga Leonard Veizi
Ky është një trend që s’ma do mendja se ka filluar këto vitet e fundit, po ca më herët se kaq. Ndoshta vitet e fundit është rritur ca si tepër rivaliteti e konkurrenca. Dhe kjo ç’është e vërteta më ka habitur goxha thellë.
Jo vetëm në periudhat para zgjedhore, tek emisionet politike, – që për fat i kemi me shumicë, po aq sa dhe emisionet e showbiz-it, – më kanë zënë sytë e veshët se gjithfarë ish-ministrash u zgjidhet goja menjëherë pas çmobilizimit nga detyra, e atëherë, si të zgjuar nga një gjumë letargjik, thonë e çfarë nuk thonë për qeverinë. Domethënë, ia numërojnë qeverisë të gjitha të këqijat, pa u dridhur qerpiku fare.
Epo burra trima, – kam thënë gjithmonë me vete, në ato kohë dhe tani së fundmi. Se duket sikur në Shqipëri burra kanë qenë vetëm Skënderbeu, Ali Pashai, e Çerçiz Topulli. Jo ore jo, burra ka në çdo lloj kohe. Edhe tani në demokracinë liberale, ku pushkëve u është hequr shuli. Kështu që, o burra, shajeni qeverinë me ç’i mban pragu. Një herë vdes burri.
Me të drejtë në fakt, se sipas zakonit, ministrat dhe kryeministri në detyrë janë gjithmonë objekt druri e huri. Dhe, u mban a nuk u mban kurrizi, hakun do ta marrin në kundërvleftë.
Por nuk ua kam hallin këtyre. Tjetërkund më ha kandari.
Pse ndodh kjo, do pyesni ju. Ja kështu e pyeta dhe unë veten dhe rashë në të thella. Dhe të mendosh se ca kohë ia kisha marrë me gjumë, se punët më dukeshin në terezi.
Vërtet, përse kur janë në pushtet, askush nuk e hap gojën e sapo zbret nga poltroni rrotullues ia lëshojnë lumit të vrerit?
Kur ishin në karrige, ministrat nuk e hapnin tytën e të flisnin për defekte të qeverisjes, sepse me sa duket or lum miku, e kishin të zënë gojën me arritjet.
Dhe kjo metamorfozë e çuditshme, më vuri akoma më shumë në mendime.
Se ja, çështja fillon me formimin e kabinetit. Atëherë kur firmosnin si ministra të qeverisë, bënin betimin me ngazëllim të parrëfyer, se do të ishin shërbëtorë të devotshëm të popullit.
Ishin gati të qanin nga gëzimi.
Epo gjithë ky qejf i madh për të qenë shërbëtorë. Sherr ore sherr derisa formohet ai qerrata kabinet, me ministra që kanë institucione në varësi, por dhe me ata që nuk kanë fare portofol. Dhe në krye të sherrit vihen ca boss-a që i kanë paratë me thasë. Se me sa duket po u plaska xhani nga luksi e duan të lehtësohen ca nga pesha duke u bërë shërbëtorë.
Në fakt, këtu ngrihet dhe pikëpyetja më e rëndësishme ndër të tjerat me po aq rëndësi. Se njeriun nga natyra e gërryen kurioziteti.
Një pyetje tjetër që vazhdon e më ve edhe më shumë në dilemë se zakonisht, është se veç ministrave, edhe deputetë, thonë me gojën plot e ballin lart se janë shërbëtorë të popullit. Ore, po u bënë shumë shërbëtorë, meqë ra fjala. Paska vende pune boll. E me ç’shoh, paskemi dhe profesionistë.
Jo se në kohën e diktaturës, mendonim që pozicioni më i mirë ishte ai i magazinierit. Sot jo, ka dalë ai i shërbëtorit…
Mirëpo nga historia kam parasysh se askush nuk do të jetë shërbëtor, as skllav, as plebe… të gjithë duan të jenë shefa e zotërinj. Kë la mendja të jetë një copë shërbëtor i përulur që ta urdhërojnë orë e çast: shko e na mbush ujë. Se nga anët tona, vetëm gomarin e mbajnë për të mbushur ujë.
Bela e madhe. Duhet vrarë mendja.
Jo, se dikur lufta bëhej që shërbëtorët të mos ishin më shërbëtorë por të bëheshin zengjinë. Sot paska ndryshuar koha me të tëra. Sot politikanët luten dhe janë të lumtur të jenë shërbëtorë. Të jenë kokulur e të urdhërohen nga mëngjesi në darkë për të plotësuar tekat e popullit.
Dhe kur i heqin nga detyra e shërbëtorit, bëjnë namin këta burra. Epo s’ke ç’i thua, ka qejf tjetri të jetë shërbëtor dhe pikë. Mezi e rregulloi atë vend pune. Ia ka qejfi të urdhërohet ditë e natë, demek: na i bëj rrugën shpejt e shpejt a derman; Na bëj dhe një urë të kam rixha: Se mos harron ujin o lumëmadh!
E të shtrohet ministri këmbëkryq me popullin t’u zgjidhi hallet, bash si një shërbëtor i vërtetë: Ja or t’u bëfsha, direkt. Të gjitha do t’i bëjmë. Se qeveria e ka hapur thesin, e s’ka për t’u munguar gjë. Sa të bëhet ai qerrata tenderi.
Ja, këto probleme, e ca të tjera po si këto, një ditë ma turbulluan kënetën që po vegjetonte qetësisht në kokën time.
Ditët e lumtura ikën. Tani ec e të qetësohen ujërat.