I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u përpoq të organizojë një takim mes dy udhëheqësve, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, në mesin e tensioneve që kanë shpërthyer në veriun e Kosovës.
Takimi duhej të mbahej në Bratislavë të Sllovakisë, ku dy liderët ishin të ftuar në konferencën për siguri globale, “Globsec”. Por pasi njoftoi fillimisht se do të merrte pjesë, qeveria e Kosovës tha më vonë se pjesëmarrja e Kurtit mund të anulohej për shkak të zhvillimeve në veri.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se nuk do të udhëtojë drejt Bratislavës. “Po qëndroj me popullin dhe ushtarët tanë. Serbia do të fitojë”, njoftoi ai duke vulosur mospraninë në panelin ku do të jetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.