Në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e lartë të BE-së, SHBA-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare mbi Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në tryezë ku ishte i pranishëm dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që rajoni të integrohet sa më shpejt duhet të ndalen kërcënimet mes fqinjëve për çështjen e sigurisë.
Kurti shtoi mes të tjerash se Kosova e ka gati agjendën e reformave, e cila do t’i dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur institucioneve të BE-së.
“Duhet të jemi konstruktivë në angazhimin tonë dhe në fuqinë transformuese që kemi. Kosova është e gatshme për reforma. Që rajoni të integrohet duhet që kërcënimet e sigurisë të ndërpriten. Kjo nuk mund të ndodhë nëse liria për mallra shfrytëzohet që të mbarten municione. Marrëdhëniet normale janë kyç për shfrytëzimin e potencialit. Në demokraci liberale ka rëndësi sundimi i së drejtës”, tha Kurti.
“Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së”
Më tej, Albin Kurti ka thënë se, vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.
“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka thënë Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës e ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas Kurtit është “edhe qëllimi, edhe fati ynë”.
Sipas tij, ky është një takim shumë i rëndësishëm, i cili do të mundësojë të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal dhe ecje më të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian.
“Në këtë mbledhje, 6 shtete të Ballkanit Perëndimorë e takojnë Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma te ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare. Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërsa në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative”, tha Kurti.