Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka uruar të gjithë kryetarët e rinj që kanë fituar në komunat ku pati balotazh, duke thënë se do të bashkëpunoj me të gjithë, por edhe se do i mbikëqyrë ata.
“Administrimi i procesit zgjedhor të balotazhit nga KQZ-ja ishte shumë i mirë dhe me këtë rast i përgëzoj për angazhimin dhe efikasitet, i uroj të gjithë kryetarët e komunave që u zgjodhën dje. Ata do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin dhe korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër ku para të mëdha nëpër qytetet tona po shpëlahen duke shkatërruar me ndërtim të egër. Unë do të bashkëpunoj me ta në këtë betejë më të gjithë ata që luftojnë krimin, dhe do t’i mbikqyrë me vëmendje”, tha Kurti.
Humbja
Kryeministri i Kosovës tha se humbja e VV-së në shumicën e komunave ndodhi nga bashkimi i të gjithëve kundër kësaj partie, por edhe nga defekte të brendshme.
“Rezultat jo i kënaqshëm për neve, vjen si rezultat i disa defekte të brendshme që ne duhet t’i analizojmë së bashku brenda partisë dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”, tha Kurti.
Rezultatet
Sipas rezultatit të raundit të parë dhe rezultateve preliminare të balotazhit në 22 komuna, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitojë vetëm 4 komuna: Gjilanin, Podujevën, Kamenicën dhe në Shtimen.
PDK-ja, ka arritur të fitojë në komunat: Prizren, Vushtrri, Dragash, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Viti, Junik, Istog, Pejë dhe Lipjan.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar në komunat; Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Suharekë.
Lista Serbe ka fituar në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Novobërdë, Shtërpcë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot.