Albin Kurti është tashmë zyrtarisht kryeministër i Kosovës pasi mori detyrën me një ceremoni solemne në godinën e qeverisë në Prishtinë.
Por, për t’i dorëzuar postin nuk ishte i pranishëm ish-kryeministri Ramush Haradinaj, detyrën e të cilit e përfundoi Behgjet Pacolli, ish-zëvendëskryeministër i parë.
Kurti i bëri hapat e para drejtë qeverisë duke shkelur në tapetin e kuq dhe nën interpretimin e himnit shtetëror të Kosovës.
Kryeministri i ri u përshëndet dhe nga garda ceremoniale e Ushtrisë së Kosovës që ishin rreshtuar për nder të tij.
Pas ceremonisë u zhvillua dhe një takim mes Kurtit dhe ish-zëvendëskryeministrit Pacolli në ambientet e kabinetit të kryeministrit. Aty u bë dorëzimi dhe pranimi zyrtar i detyrës nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti nuk humbi kohë dhe menjëherë mbajti mbledhjen e parë të kabinetit të ri dhe lëshoi një porosi për ministrat e tij. Kryeministri paralajmëroi se nuk do të ketë kohë për të qëndruar ulur në karrige.
“Është kënaqësi t’ju shoh të gjithëve të entuziazmuar për detyrën që keni marrë. Ju uroj të gjithëve për detyrat e juaja. Ky kabinet është i qytetarëve dhe ne do të punojmë për ta. Ata na e kanë dhënë besimin e mandatin. Energjia e qytetarit duhet të jenë motor për punën tonë. 100 ditët e para do të jenë të zëna me punë… Karriget i kemi, por më shumë do të rrimë në këmbë për punën që e kemi“, tha Kurti.
Ndër të tjera theksoi se kjo qeveri duhet të jetë gjithmonë në shërbim dhe pasqyrë e popullit.
Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 3 shkurt. Ai drejton qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Qeveria Kurti ka 15 ministri, prej të cilave nga gjashtë (6) ministri udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, kurse tri (3) ministri nga komunitetet pakicë.
Kurti tha se në qeveri, nuk ka Vetëvendosje e LDK, por ka vetëm Qeveri të Republikës së Kosovës. Kurse në kuvend, tha ai, ka parti politike që flasin në emër të subjekteve që përfaqësojnë.