Kosova Kurti sqaron vendimin për targat serbe: Nuk është dëshirë e jona, por...

Kurti sqaron vendimin për targat serbe: Nuk është dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Kuvendi ka sqaruar vendimin e qeverisë për vendosjen e reciprocitetit për targat serbe në Kosovë.

Kurti u shpreh se vendimi i marrë sot nuk është dëshirë e qeverisë së tij, por janë të imponuar nga pala serbe.

“15 Shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhet të përmbyllej marrëveshja e arritur Brukselit për targat. MB-ja sot mori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha targave ilegale, sikurse edhe në pikat kufitare”, u shpreh Kurti.

Po ashtu Kurti tha se vendimi i sotëm nuk është kundër qytetarëve serb dhe lëvizjes së lirë të mallrave.

“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve se serbë dhe nuk i kufizon lëvizjen e lirë qytetarëve serbë dhe pres nga të gjithë qytetarët ta kuptojnë drejtë se sot s’po ndodh diçka e jashtëligjshme, por po fillon një zbatim i marrëveshje që është pajtuar Serbia me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Mëngjesin e sotëm në pikat kufitare policia e Kosovës u ka hequr targat të gjitha makinave nga Serbia dhe i ka pajisur me targa prej letre me simbolet e Kosovës.