Austria do të mbështesë të gjitha zgjidhjet e dakorduara në dialogun Beograd-Prishtinë, përfshirë ripozicionim e kufijve, tha kreu i Partisë Popullore të Austrisë (OVP) dhe kancelari austriak Sebastian Kurz në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug.
“Pozicioni ynë është i qartë: ne mbështesim gjithçka që palët bien dakord, si dhe rregullimet e mundshme të kufijve, nëse kjo përfundimisht çon në një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të sillte më shumë stabilitet. Qëllimi duhet të jetë që të zgjidhen të gjitha çështjet e pazgjidhura me marrëveshje në dialog”, shpjegoi Kurz dhe theksoi rëndësinë e rifillimit të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, dhe zgjidhja e të gjitha çështjeve të pazgjidhura në tryezën e bisedimeve.
“Na duhet një dinamikë e re sepse zgjidhja nga dialogu është parakusht për pranimin e mëvonshëm në Bashkimin Evropian.”
I pyetur nëse BE, në përgjithësi, ka fuqinë për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe nëse ajo ka ndikim në Prishtinë, e cila nuk i është përgjigjur thirrjeve të Brukselit për të hequr tarifat, Kurz tha se Unioni ka mundësi të ndryshme dhe po e bën atë vazhdimisht, por edhe atë në fund “është e nevojshme që të ekzistojë një dëshirë e mjaftueshme politike për një kompromis në Beograd dhe Prishtinë”.
Ai gjithashtu përshëndeti emërimin e të Dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, duke shpresuar se ai do të jetë në gjendje të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë, në bashkëpunim me BE.
“Gjatë vizitës time në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, kemi diskutuar këtë emërim dhe kemi shpalosur përpjekjet tona të përbashkëta me Presidentin Donald Trump. SHBA ka kohë që është e angazhuar në këtë çështje së bashku me BE-në, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse vetëm së bashku mund të arrijmë më shumë. Kjo është arsyeja pse është një sinjal i mirë që është emëruar një i Dërguar Special dhe shpresoj se ai do të jetë në gjendje të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Jam i bindur që BE do të punojë ngushtë me të“, tha kancelari austriak.
Sa i përket rrugës së Serbisë në BE-së dhe emërimit të kandidatit të Hungarisë për Komisionerin e ri Evropian për Zgjerim, Kurz thotë se Vjena ka lidhje të forta njerëzore, ekonomike, politike dhe kulturore me Ballkanin Perëndimor dhe e konsideron atë “një rajon fqinj”.
“Kjo është arsyeja pse unë mbroj një perspektivë të qartë të qasjes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Është vendimtare që përparimi është arritur. Tani priten negociatat e pranimit me BE dhe zbatimi i reformave të nevojshme. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë bërë përparim të rëndësishëm në këtë, dhe shpresoj se ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Ne, së bashku me Hungarinë dhe vendet e tjera anëtare të BE që kujdesen për Ballkanin Perëndimor, do t’i mbështesim vendet e rajonit“, përfundoi Kurz.