Kryesore “Kush e beson më BE-në? Franca luajti ndyrë”: Reagime të ashpra pas...

“Kush e beson më BE-në? Franca luajti ndyrë”: Reagime të ashpra pas refuzimit për hapjen e negociatave

Dështimi i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nxiti reagime dhe shqetësime për pasojat e një vendimi të tillë. Bashkimi Evropian ishte zotuar që kjo të ndodhë këtë muaj.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov shkroi në rrjetet sociale se “më e pakta që Bashkimi Evropian i ka borxh rajonit është që të jetë i drejtpërdrejtë me ne. Nëse nuk ka më konsensus për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, nëse zotimet e Selanikut të vitit 2003 nuk qëndrojnë, qytetarët e meritojnë ta dinë”.

Para debateve në Bruksel, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kishte deklaruar se Kina e Rusia do të mbushin “boshllëkun” e lënë nga evropianët.

Komisionari për Zgjerimin Johannes Hahn, shkroi se “përgjegjësia për këtë dështim nuk është e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që shpresuan më të drejtë për vendim pozitiv. Është BE-ja ajo që dështoi për shkak të problemeve të brendshme. Kjo do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë”.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, tha se ky është një vendim i papranueshëm dhe akuzoi Francën se “po luan lojë të ndyrë dhe se të gjithë do të paguajmë çmimin”.

Carl Bildt, bashkëkryesues u Këshillit Evropian për punë të Jashtme tha se “kjo nuk është punë e vogël. Duke bllokuar negociatat e anëtarësimit për Ballkanin, Franca, Holanda e Danimarka jo vetëm që shkelën zotimet e mëhershme, por i hoqën mundësinë BE-së për çfarëdo qasje të besueshme strategjike ndaj këtij rajoni të rëndësishëm”.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, duke shfaqur keqardhjen për vendimin, tërhoqi vërejtjen se “kjo do të fundosë besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon dhe do të forcojë ambiciet e Moskës dhe Pekinit”.

Analisti Florian Bieber i Universitetit të Gracit në Austri, tha se ky dështim do të shkaktojë dëme afatgjata.

“Si mund të argumentojmë për BE-në në Ballkanin Perëndimor? Si mund të themi se përpjekja e vërtetë do të shpërblehet? BE-ja dhe Macroni në veçanti, tradhtuan atë që dëshiron BE-ja. Ashtu si premtimet e rreme të agimit të ‘orës së Evropës’ në vitin 1991, ky dështim do të shkaktojë dëme afatgjata”, shkroi ai./VOA