Shtojeni në listën e avantazheve kur dashuron librat: ata që lexojnë janë më të ndjeshëm dhe të sjellshëm, sipas një studimi të ri.
Shpenzimi i një kohe të gjatë me hundën në mes të artikujve dhe romaneve, ndihmon njerëzit t’i shikojnë gjërat nga një këndvështrim tjetër, duke i shtyrë të kuptojnë më mirë të tjerët.
Studimi u krye nga Universiteti i Kingston i Londrës, i cili testoi aftësitë ndërpersonale të 123 pjesëmarrësve, duke përcaktuar një dallim të rëndësishëm midis atyre që ishin adhurues të televizionit, video lojërave dhe librave.
Vullnetarët plotësuan një pyetësor, i cili ndihmoi studiuesit të kuptojnë aftësinë e tyre për të vërejtur ndjenjat e të tjerëve dhe gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar ata. Sipas rezultateve, lexuesit kanë më shumë gjasa të veprojnë pozitivisht në shoqëri, se sa ata që pëlqejnë të argëtohen me televizionin. Ndërkohë, entuziastët e televizionit ishin më pak miqësorë dhe të gatshëm të pranonin mendimet e të tjerëve.
Në kategorinë “lexues” megjithatë, duhet bërë një dallim: për të përcaktuar inteligjencën emocionale, një rol të rëndësishëm e luan zhanri i preferuar. Studimi zbuloi se fansat e fantazisë kanë më shumë sjellje sociale pozitive, ndërsa lexuesit e librave dramatikë dhe romantikë janë më të dhembshur. Adhuruesit e librave janë më shumë në gjendje të shohin gjërat nga perspektiva të ndryshme, ndërsa entuziastët e komedisë shënuan rezultatin më të lartë në marrëdhëniet me të tjerët.
Studiuesit dhanë shpjegimin e tyre për këto rezultate: zhytja në botë të ndryshme të krijuara nga autorët, i bëjnë lexuesit të shohin botën përmes syve të tyre dhe nëpërmjet atyre të personazheve, gjë që ndihmon shumë për t’ua hapur mendjen dhe për të kuptuar ndjenjat që mund të nxisin veprimet e njerëzve, që janë ndryshe nga ne. “Ekspozimi ndaj rrëfimit rrit një sërë aftësish empatike”, komentuan studiuesit, “angazhimi në fantazi dhe komedi, në veçanti, mund të jetë një çelës për zhvillimin e kësaj sjelljeje”.