Në një kohë kur zhvilloheshin protesta për mosdhënien me koncesion të ndërtimit të HEC-eve në kanionet e Osumit, të cilat detyruan qeverinë të anulojë çdo leje të dhënë, në heshtje po jepej një tjetër leje.
Bëhet fjalë për ndërtimin e hidrocentralit të Holtës, në një zonë të ngjashme me kanionet e Skraparit. Kompania “Era Hydro” kishte marrë në prill të vitit 2017, një leje për ndërtim në këtë zonë. TCH ka siguruar dokumentin e nënshkruar nga drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit.
Një vit më pas, në prill të 2018-s, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, dhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri mbronin në Këshillin Kombëtar të Territorit argumentet për t’i dhënë leje ndërtimi një HEC-i të ri, që do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme kanionin e Holtës në Gramsh.
TCH ka edhe dokumentin që mban firmën e Gjiknurit dhe që është firmosur në një kohë kur të njëjtët drejtues institucionesh diskutonin sesi të anulonin lejet e dhëna në kanionet e Skraparit.
Vetëm protestat e bënë qeverinë të arsyetojë, e pak ditë më parë ministrja e re e Energjetikës shkoi vet në zonën e kanioneve të Holtës, ku lajmëroi pezullimin e lejes së dhënë. Megjithatë, në zonë është hedhur hekur e beton, dhe opozita pretendon se pezullimi është i përkohshëm.
Që në fillim, ndërtimi i HEC-it në kanionin e Holtës duhej të ishte konsultuar edhe me banorët e zonës, të cilët në fakt thanë se askush nuk i kishte pyetur në lidhje me të. Ndërkohë që ata janë totalisht kundër ndërtimit në Holtë./ TCH