Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi në unanimitet që Aida Hajnaj të jetë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e njohur si FBI-ja shqiptare.
Hajnaj, aktualisht nëndrejtore e Policisë së Shtetit, do të drejtojë për 5 vitet e ardhshme BKH-në, që është njësia hetimore e SPAK-ut dhe ka për detyrë të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.
Pas zgjedhjes së kreut të BKH-së, SPAK-u do të nisë punën për përzgjedhjen e 60 hetuesve të kësaj strukture.
Hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia.
Kush është Aida Hajnaj
Drejtoresha e parë e FBI shqiptare është 51 vjeç. Hajnaj, e rritur në Pogradec, është diplomuar si juriste në të drejtën civile me rezultate të larta. Ajo filloi karrierën si hetuese në hetuesinë e Fierit nga viti 1991 deri në 1992 ndërsa deri në janar 1997 shërbeu si oficere e policisë gjyqësore në këtë komisariat. E njohur gjithashtu edhe si lektore në Fakultetin e Drejtësisë, Hajnaj vazhdon t’i ngjisë shkallët modestish.
Ka punuar gjithashtu në përpunimin e të dhënave në Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve nga 2004 deri në deri në 2013, kohë kur ky departament mori formën më të rëndësishme dhe kur shumë dëshmitarë si ata kundër bandës së Aldo Bares dhe kundër Lulzim Berishës u mbrojtën nga kjo drejtori së bashku me të afërmit e tyre. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, Aida Hajnaj punoi si shefe e sektorit të Hetimit e Pastrimit të Parave. Më pas emërohet si drejtoreshë e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit. Në 4 janar 2019 Aida Hajnaj u emërua zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Shtetit.