Një konflikt, pas së cilit sipas policisë qëndrojnë motivet e dobëta, u bë shkak për plagosjen e një 27-vjeçari në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike, në qytetin e Kavajës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të kësaj të hëne.
I plagosur nga kjo ngjarje mbeti 27-vjeçari Bledar Okshtuni. Ai mori një plagë në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje, i cili është shpallur në kërkim, është Ndriçim Jonuzi alias Ndriçim Tahiri, pasi ka ndërruar mbiemër.
Ky person është me precedent të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.
“Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të Qytetit për kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është nisur drejt Kavajës.