Kryesore Kush është diplomati i ‘panjohur’ që do të drejtojë Ministrinë e Jashtme...

Kush është diplomati i ‘panjohur’ që do të drejtojë Ministrinë e Jashtme dhe teknicieni që do të drejtojë Financat

Kryeministri Edi Rama ashtu sikurse kishte paralajmëruar, ka prezantuar para Asamblesë Kombëtare të PS, ndryshimet e rëndësishme në kabinetin qeveritar. Në total janë 7 lëvizje.

Dy ndër lëvizjet më thelbësore janë ato që përfshijnë ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ministrinë e Financave.

Në krye të diplomacisë shqiptare do të jetë, Iglis Hasani që zëvendëson Olta Xhaçkën. Hasani edhe pse është një emër i panjohur për publikun, është një diplomat i rangut të lartë. Hasani vitet e fundit ka mbajtur një sërë pozicionesh të rëndësishme për Shqipërinë në OSBE.

Kush është Igli Hasani?

Igli Hasani aktualisht është Koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.

Përpara anëtarësimit në OSBE,  Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Në janar 2021, ai mori postin e Kryetarit të Grupit të Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014). dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Ai është diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes.

Teknicieni që do të drejtojë Financat

Në krye të Financave është propozuar nga kreu i qeverisë, Ervin Mete. Mete do të marrë drejtimin e ministrisë, duke zëvendësuar Delina Ibrahimaj. Kjo e fundit do të jetë në krye të ministrisë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, post që mbahej nga Edona Bilali. Ibrahimaj ka pasur muajt e fundit përplasje të ashpra me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Madje gjatë verës doli me shpejtësi lajmi për shkarkimin e Ibrahimajt, por që Rama e tërhoqi, duke e lënë vendimin për sot.

Kush është Ervin Mete?

Ervin Mete është Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.

Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësisht i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar, përfshirë ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe ndryshimet në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

Ervin Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE.

Mete është lektor i së drejtës fiskale pranë Shkollës së Magjistraturës. Ai ka shërbyer si ekspert dhe konsulent i Bankës Botërore (2011), Komisionit Evropian (2008) dhe PNUD-it (2007).

Mete mban gradën Master nga Universiteti i Harvardit, SHBA (LL.M. 2010) dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës – LSE (LL.M. 2009), ku është specializuar në të drejtë fiskale dhe të drejtë korporatash. Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të shkëlqyera (2006). Mete zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.