Ermir Dervishi, 48 vjeç, është arrestuar nga Policia e Durrësit për llogari të autoriteteve italiane, shtet në të cilin është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999, për shkak të një vrasjeje të kryer dy dekada më parë. Policia shqiptare njofton se Dervishi do të ekstradohet drejt shtetit fqinj.
Por kush është Ermir Dervishi?
Në nëntor të vitit 2011 RENEA e arreston Ermir Dervishin te zona e Freskut në Tiranë, pasi figuronte në listën e personave në kërkim për vrasjen e Gentian Duros në vitin 1998 në Kavajë. Gjykata e Kavajës e kishte dënuar me 20 vjet burg në mungesë për këtë krim, në vitin 2001, vendim që e pati lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit Durrës ku avokati mbrojtës i Dervishit pati ankimuar vendimin.
Edhe Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin.
Ndërkohë pas arrestimit nga RENEA, në vitin 2012, Dervishi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për një proces jo të rregullt gjyqësor ndaj tij. Kjo gjykatë në shkurt të vitit 2013 e pranon pjesërisht dhe e rikthen për gjykim në Gjykatën e Apelit Durrës.
Pas vrasjes së Duros, Dervishi ishte larguar nga Shqipëria dhe më pas rikthyer, pasi atje është shpallur në kërkim pas kryerjes së një tjetër vrasjeje për të cilën është dënuar me burgim të përjetshëm dhe për qëllime ekstradimi për llogari të drejtësisë italiane u arrestua sot nga policia shqiptare.
Gjatë proceseve hetimore dhe gjyqësore, Ermir Dervishi është akuzuar për lidhje të ngushta me bandën e Durrësit, por këto lidhje nuk u konfirmuan zyrtarisht.