Aktualitet OSHEE investim 10 milionë euro në Pogradec, Balluku: Ofron garanci për disa...

OSHEE investim 10 milionë euro në Pogradec, Balluku: Ofron garanci për disa dekada

Shqetësimet e banorëve të Pogradecit dhe zonave përreth sa i takon cilësisë së furnizimit me energji elektrike kanë marrë tashmë rrugën e zgjidhjes. Operatorit i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke investuar 10 milionë euro në këtë bashki çka do të transformojë cilësinë e furnizimit me energji elektrike për 48 mijë abonentë.

Investimi përfshinë ndërtimin e nënstacionit të ri, vendosjen e 10 fiderave, ndërtimin e 65 kabinave, shtrimin e 42 kilometrave linjë tension i mesën 20 kv , 40 kilometra linjë kabllore me standard të sigurt ABC si dhe vendosjen e 800 shtyllave. Projekti ka nisur në fillim të vitit 2019-të dhe aktualisht po punohet për ndërtimin e 6 fiderave 20 kv.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, së bashku me ministrin për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, njëkohësisht deputet i zonës së Pogradecit, Eduard Shalsi dhe administratorin e OSHEE, Adrian Çela kanë inspektuar nga afër ecurinë e punimeve.

“I gjithë projekti parashikon 10 fidera dhe përfshin nënstacionin e ri që do bëhet në qytetin e Pogradecit. Jemi duke implementuar 6 fidera dhe 4 fiderat e tjerë do të implementohen bashkarisht me nënstacionin. Ky investim përfundon plotësisht me bërjen e nënstacionit, për të cilin është përfunduar projekti, fillon vitin e ardhshëm sepse ne këtë vit identifikuam terrenin dhe proces të tjera. Në vitin 2020 fillon nënstacioni i ri dhe në 2021 përfundojnë të 10 fiderat”, bëri të ditur administratori i OSHEE, Adrian Çela.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku theksoi se ky investim garanton rritjen e sigurisë së shpërndarjes së energjisë elektrike duke ulur humbjet teksa shtoi se ajo që është më e rëndësishme është që ky projekt mbulon nevojat e qytetit për 35 vitet e ardhshme.

“Është një investim i cili do të rrisë sigurinë e shpërndarjes së energjisë elektrike, çka është shumë e rëndësishme për ne, sepse si rrjedhojë kemi dhe uljen e humbjeve në rrjet. Dhe nga ana tjetër i gjithë ky investim parashikon që të jetë një investim që mbulon nevojat e qytetit për disa dekada, minimalisht për 35 vitet e ardhshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fakti që rrjeti i amortizuar i qytetit të Pogradecit por jo vetëm, pra i zonave Tushemishtit dhe Drilonit, tashmë po rikonstruktohet dhe po riorganizohet në mënyrën më moderne, padyshim është një nga investimet më të mira të OSHEE-së”, u shpreh ministrja Balluku.

Për më shumë se 40 vite në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë e Pogradecit nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje duke sjellë një amortizim të rrjetit. Kompania e cila aktualisht po kryen punimet ka hartuar një plan masash në mënyrë që të mos krijojë pengesa për mbarëvajtjen e sezonit turistik.