SHBA Kush është Hope Hicks, këshilltarja e Trump që dyshohet se ka infektuar...

Kush është Hope Hicks, këshilltarja e Trump që dyshohet se ka infektuar çiftin presidencial

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Melania dolën pozitiv me Covid-19.

Ishte vetë Trump, ai që e komunikoi lajmin përmes profilit të tij në Twitter, duke shkruar: “Unë dhe Melania dolëm pozitiv me Covid-19. Ne do të nisim menjëherë procesin e karantinës dhe të shërimit. Ne do ta kalojmë së bashku këtë situatë”.

Në mesin e fushatës elektorale, kur ka mbetur vetëm një muaj nga votimi që mban botën pezull, pyetja që shtrohet është se kush mund ta ketë infektuar Donald Trump dhe gruan e tij?

Disa orë para se të njoftonte lajmin se kishte dalë pozitiv me Covid-19, Trump kishte deklaruar që Hope Hicks, një nga këshilltaret e presidentit, kishte rezultuar pozitive me koronavirus.

Një lajm, i cili u konsiderua shqetësues, pasi të martën dhe të mërkurën, ajo kishte udhëtuar së bashku me presidentin Trump, nuk ka nevojë të theksohet, pa maskë, duke e shoqëruar atë së pari në Cleveland ku dhe u mbajt debati i parë televiziv i kësaj fushate të vitit 2020. Dhe pastaj në Duluth e Minesota ku ai kishte mbajtur disa takime të hapura.

Hicks, një ish-modele, 31-vjeçe, ishte shefja e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë. Në vitin 2018 ajo largohet nga skena, pasi pranoi se kishte gënjyer shërbimin informativ për të mbrojtur Presidentin.

Shumë besnike dhe e njohur si një nga shoqet e ngushta të vajzës së tij, Ivanka. Në të kaluarën Hicks ishte marrë me marrëdhëniet me publikun në Organizatën Trump dhe në vitin 2016 ajo ishte zëdhënëse e fushatës së parë presidenciale dhe më pas drejtore e komunikimeve strategjike.

Pas disa muajsh, Trump e kishte thirrur për ta ndihmuar në fushatën e tij.

Ajo mendohet se ka qenë shumë afër Presidentit, përpara se ta mësonte se ishte pozitive me Covid-19. Hicks ka udhëtuar me Trump disa herë përgjatë ditëve të fundit.

Videot nga dita e debatit tregojnë Hicks duke ecur pa maskë te Marine one, pranë Stephen Miller dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump. Megjithatë, sipas të dhënave, Hicks ishte një nga anëtaret e pakta të stafit që mbante një maskë herë pas here gjatë takimeve.