Ibrahim Lici dyshohet se është personi i cili ekzekutoi me armë zjarri 32-vjeçarin Endri Mustafa, trupi i pajetë i të cilit u gjet mëngjesin e së hënës në zonën e Livadheve në Shkodër.
28-vjeçari jo vetëm që nuk është emër i panjohur për autoritetet policore, por ai rezulton në kërkim për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Këta të dy u vranë në një atentat të mirëorganizuar ku morën pjesë 4 persona, në mars të vitit 2019. Në atë kohë, policia njoftoi arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Autor kryesor i dyshuar për vrasjen ishte pikërisht Ibrahim Lici.
Vrasja e vëllezërve Bilali dyshohet se erdhi për shkak të konflikteve të vjetra mes fiseve Lici dhe Bajri në këtë qytet. Njëri nga viktimat, Brahim Bilali, një ish-kampion i hipizmit ishte kryetar i Shoqatës “2 Prilli”. Ndërsa Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Pikërisht në këtë resort, në 1 Shtator 2018 u vra në një atentat Arjan Ferracaku, i cili ndodhej në shoqërinë e Astmer Bilalit, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.
Megjithatë, emri i Ibrahim Licit u bë i njohur më herët sesa viti 2019.
Në 2017-n, ai u arrestua së bashku me 7 persona të tjerë, për akuzën e gjobëvënies ndaj tregtarëve të Zdrales dhe rrugës së Kirasit në Shkodër. Për më shumë se 9 muaj ky grup dyshohet se kishte marrë nga tregtarët çdo muaj nga 1 mijë deri 3 mijë lekë të reja.
Por rreth 3 muaj pas arrestimit, Gjykata për Krimet e Rënda e la Licin të lirë.
Këtë të martë, Policia e Shkodrës tha se e kishte shpallur në kërkim 28-vjeçarin, tashmë për vrasjen e Endri Mustafës. Për të njëjtën ngjarje u arrestuan edhe 2 persona të tjerë, megjithatë autori i dyshuar i vrasjes është pikërisht Ibrahim Lici.
Endri Mustafa ishte një emër i njohur për blutë e Shkodrës. Ai ishte person me precedentë penalë dhe ishte i përfshirë edhe në një skemë fajdesh.