Ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë italiane ka ardhur sot nw Tiranw.
Ministri Minniti do të zhvillojë takime me homologun Fatmir Xhafa, kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Republikës Ilir Meta.
Në kuadër të kësaj vizite, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet edhe ‘Konferenca e përbashkët mbi raportin përmbyllës së misionit të monitorimit ajror për vitin 2017, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike’, ndërmjet Policisë së Shtetit, Policisë italiane dhe Misionit të BE-së.
Kush është Marco Minniti
Ministri i Brendshëm italian Marco Minniti është një nga figurat më të forta të qeverisë Gentiloni. Ekspert në fushën e sigurisë, inteligjencës e mbrojtjes, Marco Minniti prej 12 dhjetorit 2016 është në krye të Ministrisë së Brendshme italiane duke zëvendësuar paraardhësin e tij Angelino Alfano, aktualisht Ministër i Jashtëm.
Me origjinë nga Kalabria dhe i rritur në një familje ushtarakësh, Marco Minniti që në rini aktivizohet në politikë në radhët e Partisë Komuniste Italiane, më pas në Partinë Demokratike të Majtë (PDS) e sot në Partinë Demokratike.
Në kohën e qeverisë së Giuliano Amatos për dy vite rresht 1998-2000, mbulon rolin e Nënsekretarit të lartë të shtetit e ku emërohet koordinator i “Komiteti Ndërministerial për rindërtimin e Ballkanit”. Provë e rëndësishme e tij në këtë detyrë është kriza në Kosovë.
Në 1999, Marco Minniti bëhet një nga mbështetësit më të fortë të ndërhyrjes së NATO-s në Serbi për t’i dhënë fund luftës etnike të Milloshevic kundër shqiptarëve.
Gjatë qeverisë së majtë të drejtuar nga Massimo D’Alema, Marco Minniti emërohet Sekretar i lartë i Shtetit për Mbrojtjen.
Më 2006 kryeministri italian Romano Prodi e emëron zëvendës Ministër të Brendshëm ku impenjohet veçanërisht ndaj çështjes së zbarkimeve të emigrantëve klandestinë në brigjet siciliane si dhe në luftë kundër infiltrimeve të organizatave kriminale në sistemin sanitar publik.
Prej vitit 2013 e deri më 2016 Marco Minniti emërohet Sekretar i Lartë i Shtetit në krye të Autoritetit të Sigurisë Kombëtare e të Shërbimeve Sekrete gjatë qeverisë së Enrico Letta e Matteo Renzit.
I emëruar më 2016 në krye të Ministrisë së Brendshme, Marco Minniti bëhet dora e hekurt në mbrojtje të sigurisë kombëtare e luftës kundër terrorizmit, e emigracionit klandestin. Gjatë drejtimit të tij rritet numri i personave të dëbuar nga Italia të konsideruar të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.
Një nga masat e para të adoptuara si Ministër, Marco Minniti ndërmerr rihapjen e shtimin në territorin italian të qendrave të identifikimit e strehimit të përkohshëm të emigrantëve klandestinë.
Nën iniciativën e Ministrit Minniti më 31 korrik të 2017 hartohet Kodi Etik që rregullon aktivitetin e të gjitha organizata joqeveritare që operojnë në Mesdhe në operacionet e shpëtimit të emigrantëve.
Vizita e Ministrit të Brendshëm Italian sot në Tiranë merr një vëmendje të veçantë politike e mediatike.
Italia është një nga mbështetësit kryesor të impenjimit të qeverisë shqiptare në luftën kundër kanabizimit të vendit. Mes Italisë e Shqipërisë ka nisur një bashkëpunim i fortë në sistemin policor e të drejtësisë për të luftuar krimin e organizuar e trafiqet ilegale të lëndëve narkotike.
Axhenda e ministrit italian sot në Shqipëri
Ora 10:00 Takim i ministrave Xhafaj-Minniti, në Ministrinë e Brendshme (do t’ju shpërndahen pamjet nga MB)
Ora 11:00 Takim i ministrit të Brendshëm italian me Presidentin e Republikës, në Presidencë
Ora 11:30 Konferenca përmbyllëse e “Misionit të monitorimit ajror 2017 në luftën anti-kanabis (takimi do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve dhe do të jetë me regji qendrore)