Bota Kush është ‘italiani’ Jordan Bardella, presidenti 28-vjeçar i partisë së Le Pen...

Kush është ‘italiani’ Jordan Bardella, presidenti 28-vjeçar i partisë së Le Pen që ‘dërrmoi’ Macron-in

Stefano Montefiori – Corriere della Sera

“Do të zëmë vendin e Emmanuel Macron”, thotë i bindur Jordan Bardella nga skena e kongresit të Kuvendit Kombëtar, që sapo e ka zgjedhur presidentin e ri të partisë. Falë mbështetjes së Marine Le Pen, të shtunën më 5 nëntor, Bardella mori 84% të votave, një shumicë e madhe, kundër kandidatit tjetër Louis Aliot, kryebashkiak i Perpignan (në jug të Francës) dhe ish-partner i vetë Marine Le Pen.

Bardella, vetëm 28 vjeç shfaqet i vendosur për të arritur objektivin e marrjes të pushtetit duke e bërë Lëvizjen Kombëtare një “parti qeveritare” përtej ndarjes majtas-djathtas.

I lindur në periferi të Parisit, në Drancy, në fjalimin e tij Bardella falënderoi Francën që mirëpriti familjen e tij me origjinë italiane dhe nënën e tij Luisa “e cila u përpoq për t’ia dalë deri në fund të muajit”. Prindërit e tij u ndanë kur ai ishte i vogël. Babai i tij, Olivier Bardella, i lindur në Francë nga prindër italianë, drejton një biznes të vogël makinash në qytetin e Montmorency, në Val d’Oise.

Nëna, Luisa Bertelli, e cila mbërriti në Francë nga Torino në vitin 1963, është një punonjëse publike e specializuar në çerdhe. Presidenti i Rassemblement National u rrit me të, duke jetuar me të atin të mërkurave (shpesh një ditë pa shkollë në Francë) dhe në fundjavë. Bardella pretendon origjinën e tij italiane së bashku me patriotizmin francez, duke e vendosur veten si një shembull i integrimit të suksesshëm.

Pas mbarimit të shkollës së mesme ekonomike-sociale në gjimnazin privat Jean-Baptiste-de-La-Salle në Saint-Denis, Bardella studioi gjeografi në Universitetin e Parisit-Sorbonne. Më pas ndërpreu studimet për t’iu përkushtuar politikës.

Ai jeton si çift me Nolwenn Olivier, mbesën e Marine Le Pen pasi ajo është vajza e Marie-Caroline Le Pen (motra më e madhe e Marine). Kjo gjë që tërhoqi disa kritika dhe dyshime për favorizim për shkak të lidhjes së tij familjare me lideren e lëvizjes.

Sapo u zgjodh president i Kuvendit Kombëtar, Jordan Bardella duhej të përballej me protestën e Steeve Briois, kryebashkiaku i Hénin-Beaumont, i cili mbështeti kandidatin tjetër Louis Aliot. I përjashtuar nga zyra ekzekutive e partisë, Briois bëri thirrje për një “spastrim” të kundërshtarëve të tij.

Briois e konsideron veten shprehje të njërit prej dy shpirtrave të partisë, atij “social” që ka si përparësi fuqinë blerëse dhe mbrojtjen e kushteve ekonomike të klasave popullore. Sipas tij, Bardella në vend të kësaj do të përfaqësonte shpirtin “identitar”, më të fokusuar në mbrojtjen e vlerave tradicionale franceze të kërcënuara nga të huajt.

Bardella ka kohë në anën e tij dhe një konsensus dërrmues në organet e partisë. Ai do të jetë në dorën e tij, në muajt dhe vitet e ardhshme, të pajtojë të dy shpirtrat dhe të mos zhgënjejë, siç i frikësohet Briois, vite përpjekjesh për të normalizuar një parti që është përpjekur të kalojë nga e djathta ekstreme në pozicionet “as të djathta dhe as majtas”.

Shpërndarja e roleve me Marine Le Pen, e cila e zgjodhi, e promovoi dhe e ndihmoi, është e qartë: Bardella ka udhëheqjen e partisë, ajo ka kontrollin e 89 deputetëve në Asamblenë Kombëtare – një risi e madhe në historinë e Frontit/ Rassemblement – dhe roli i saj si një kandidate e mundshme e ardhshme për Elysée.

Në një intervistë me Corriere, Marine Le Pen evokoi hapur mundësinë për të kandiduar sërish. “Duke bërë tashmë tre fushata presidenciale, thashë se apriori nuk do të bëja një të katërt, duke përjashtuar ngjarje të jashtëzakonshme. Nëse do të isha në gjendje të fitoja, do të luftoja për të përmbushur detyrën time”.

Përpjekja për të marrë pushtetin nga Emmanuel Macron në 2027 duhet t’i bjerë sërish asaj.

Nëse Jordan Bardella nuk ecën përpara. Gjë që, katër vjet e gjysmë pas votimit, nuk mund të përjashtohet plotësisht.