Olsian Çela, prokurori i Krimeve të Rënda, ka dorëzuar dokumentat për t’u zgjedhur si Kryeprokuror i Përgjithshëm.
Aplikimi është bërë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi është ky institucion që do të miratojë listën për Kryeprokuror.
Olsian Çela është një emër i njohur në Prokurori, pasi përveçse ka hetuar disa dosje të rëndësishme, pak muaj më parë është përplasur edhe me Kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku.
Çela u bë pjesë e sherrit edhe me drejtuesen e përkohshme të Krimeve të Rënda Donika Prela, në shtator 2018-së, në kohën që pritej të jepej pretenca për Shullazin.
Në shenjë hakmarrjeje, Marku e transferoi Çelën në Berat, por pas vendimit të Gjykatës pro tij, Këshilli i Lartë i Prokurorisë u zu ngushtë dhe me 21 Janar 2019, e riktheu sërish tek Krimet e Rënda.
Disa nga dosjet që ka hetuar Olsian Çela janë çështja e Mirit të Xhikes pronarit të Kartodromit, dosja e trafikut nga grupi “Kompas”, si dhe çështja e viteve të fundit që njihet si dosja “Xibraka”, ku një nga të hetuarit ishte edhe Ermal Hoxha, i njohur ndryshe si nipi i diktatorit Enver Hoxha.