Klajdi Xibraku është një nga personat e arrestuar nga policia lidhur me sasinë prej 120 kilogramë kokainë e sekuestruar ditën e sotme në portin e Durrësit.
200 pakot e kokainës ishin fshehur në një kontenier me banane që vinte nga Ekuadori e porositur nga kompania Massabi Fruits, e cila rezulton në emër të Klajdi Xibrakut dhe Erion Petit.
Policia ka shoqëruar Klajdi Xibrakun, një prej aksionerëve të shoqërisë që kishte porositur kontejnerin. Ka qenë Xibraku që ka shkuar në port pasi është njoftuar, fillimisht për procedurat e zhdoganimit.
Burime policore bëjnë me dije se itinerari i kontejnerit brenda të cilit u gjet lënda narkotike ka qenë Ekuador-Siçili (Gioia Tower)- Durrës
Pronarët e kompanisë kanë qenë në vëzhgim më herët pasi policia ka pasur dyshime për aktivitetin e dyshimtë, por nuk kishin arritur të verifikonin asgjë.
Administratori tjetër i firmës: Shpresoj që policia të ketë bërë punën e saj
Administratori i firmës së bananeve në konteinerin e të cilave u gjet kokaina, Erion Peti, ka deklaruar për Klan News se një punëtor e kishte lajmëruar që kushëriri i tij, Klajdi Xibraku, është ndaluar.
Ai gjithashtu ka theksuar se është i gatshëm për çdo lloj interviste dhe çdo lloj ballafaqimi, ndërsa thekson se është i qetë për këtë rast.
Peti u shpreh se nuk e di përse janë bërë kontrollet dhe se shpreson që policia të ketë bërë punën e saj
Deri më tani atij nuk i është marrë ende një deklaratë nga policia.
“Jam i gatshëm për çdo lloj interviste dhe çdo lloj ballafaqimi. Nuk e dimë përse e kanë kontrolluar kontenierin në Portin e Durrësit. Shpresoj që policia të ketë bërë punën e saj, ne jemi të qetë. Policia nuk na ka kërkuar asnjë lloj deklarate deri tani. Një punëtor më lajmëroi që kushëriri im Klajdi Xibraku është ndaluar”, ka thënë Peti për Klan News.
Trafiku i drogës është zbuluar nga SPAK teksa po punonte për një tjetër çështje.