Forcave të Armatosura të Shqipërisë iu bashkua sot elita kombëtare e sportit shqiptar.
Në një ceremoni të posaçme, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, 7 sportistë shqiptarë; Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të shpallur kampionë olimpikë, botërorë dhe europianë u nderuan sot me gradën e lartë ushtarake “Kolonel”, duke u bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Kryeministri Rama e vlerësoi këtë ditë historike, për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht.
“Sot është një ditë realisht historike për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht sepse sot pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë bëhen një grup sportistësh dhe sportistesh që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo europian”, u shpreh ai.
Më tej ai shtoi: “Ja ku janë sot, që nga Majlinda, tek Distria tek Nora që me siguri shumë shpejt do pasohen nga të tjera vajza dhe nga shpresoj të tjerë djem, se i kemi marrë këto vajza që të na i zhdërvjelltësojnë dhe djemtë.
Faleminderit shumë të gjithëve dhe respekt për Luiza Gegën, e cila është shembulli i jashtëzakonshëm i shpejtësisë që nuk njeh pengesa dhe kur Luiza Gega u bë Luiza Gega, s’kishte shtet pas shpinës që ta shtynte të vraponte më shpejtë. Sot Luiza Gega është shëmbëlltyra e shtetit! E një shteti që do të ecë shumë më shpejtë përpara dhe që synon t’i bëjë krenar të gjitha Luizat e vogla që sot ne nuk i njohim ende, për ta ardhur dhe për të ndjekur Luizën, ashtu sikundër Brikenin, Erkandin apo Albanin. Zoti i bekoftë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i gjithë kombi shqiptar qoftë gjithmonë e më shumë krenar për to”.