Koalicioni “Aleanca për ndryshim”, i udhëhequr nga Partia Demokratike, do të përfaqësohet me 59 deputetë në Parlamentin që konstituohet në shtator. Por, cilët prej tyre do të ulen për herë të parë në institucionin që do të përfaqësojë shqiptarët në organin më të lartë legjislativ?
Andia Ulliri, vetëm 22 vjeç, është deputetja më e re në moshë e legjislaturës së re. Ajo u zgjodh në Qarkun e Durrësit, ku Partia Demokratike mori 6 mandate. Andia do të ulet në radhët e grupit parlamentar demokrat edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha apo edhe me të zgjedhurin e vetëm të Gjirokastrës nga koalicioni opozitar, Tritan Shehu. Ai dhe lideri historik nisën misionin e tyre politik kur Andia ende nuk kishte lindur.
Në Qarkun e Durrësit, edhe Merita Bakiu do të jetë një prurje e re në Parlament. Edhe këto zgjedhje, Veriu ia besoi votën demokratëve dhe emrat e rinj u vunë re edhe në Qarkun e Shkodrës. 5 deputetët e PD-së nuk ishin deputetë në legjislaturën 2017-2021.
Në Tiranë, qarku më i madh, ku edhe përfaqësimi është më i lartë, nuk ka shumë emra të rinj. Nga 15 deputetë të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, vetëm Belind Këlliçi i Forumit Rinor Demokrat dhe Alfred Rrushaj, që drejtoi fushatën, janë prurje të reja në Parlament.
Lezhjanët në zgjedhjet e 25 Prillit ia besuan votat e tyre Agron Gjekamarkajt dhe Kastriot Pirolit si deputetë për herë të parë. Nga ky qark, Mark Marku rikthehet në Kuvend, sikundër dhe Bujar Leskaj nga Vlora. Nga ky qark, përfaqësimi blu vjen përmes 3 deputetëve Ina Zhupa, Fation Veizaj dhe Arbi Agalliu.
Kukësi, bastion i sigurt i demokratëve ndër vite, këtë herë do të ulë për herë të parë në karriget e përgjegjësisë Flamur Hoxhën, ndërsa Berati sjell dy emra të tjerë të rinj si Tomor Alizoti dhe Kasem Mahmutaj.
PD dhe Aleanca për ndryshim në Fier, me emra të rinj, përfaqësohet nga Eralda Bano, Sajmir Korreshi, Nustret Avdulla dhe Ilda Dhori. Ndërsa Dibra fut në Parlament për herë të parë Xhelal Mziun dhe Kreshnik Çollakun.
Korça këtë hërë u dha demokratëve 5 mandate, ku për herë të parë Sorina Koti, ish-kryebashkiaku i Devollit, Bledjan Nallbati dhe Selidon Jahupllari do duhet t’u përgjigjen korçarëve nga Kuvendi.
Në Elbasan, Luçiano Boçi u bë thyesi i vetëm i herësit për demokratët, duke hyrë në listën fituese me 11 086 vota. Por, nëse për Boçin ky është rikthim në Parlament, ky qark do të përfaqësohet me të zgjedhur për herë të parë Sekretarin e Përgjithshëm demokrat, Gazmend Bardhi, shkrimtaren e mirënjohur Flutura Açka dhe doktoren Zheni Gjergji.