Operacioni Forca e Ligjit e ka nisur aksionin e kësaj jave nga Tirana. OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, dy personave. Ata janë:
Leko Durda banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, “Armëmbajtja pa leje”, “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve apo vizave” e kryer në bashkëpunim.
Arben Bërballa banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”.
Sipas OFL, “këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”.
OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.
OFL thotë se do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.