Aktualitet Kush janë dy të rinjtë që u ekstraduan në Shqipëri

Kush janë dy të rinjtë që u ekstraduan në Shqipëri

Dy persona janë ekstraduar në Shqipëri pas arrestimeve të tyre të kryera në Kroaci dhe Itali. Në një njoftim për mediat, policia thotë se nga Zagrebi u ekstradua Joland Bushati, 35 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për lirimin para kohe me kusht dhe vazhdimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur për 3 vite e 8 muaj e 24 ditë burg.

Ky vendim ka marrë formë të prerë me datë 4 Janar të këtij viti, për veprat penale ”Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

Bushati, në bashkëpunim me një person tjetër grabitën me armë pasagjerët e linjës Bajram Curri-Lekbibaj, duke qëlluar për vdekje një punonjës policie.

Ndërkohë nga Italia u ekstradua një 29-vjeçar i lindur në Bulqizë. Vladi Sinani alias Vladimir Sinani ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Dibrës e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.