Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votat preferenciale të kandidatëve për deputet janë numëruar në 7 nga 12 qarqe, deri në orën 11:00, pasi në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Elbasan numërimi vijon ende.
Taulant Balla rezulton, deri në orën 11:00, si kandidati për deputet më i votuar deri tani në Shqipëri. Sipas të dhënave nga numërimi i votave preferenciale, Balla, i cili kandidoi në qarkun e Elbasanit, ka grumbulluar mbi 21 500 vota, më shumë se kushdo tjetër në vend.
Në këtë qark, kandidati më i votuar nga lista e Partisë Demokratike është Luçiano Boçi, me më shumë se 11 mijë vota.
Në Qarkun e Tiranës, radhët e socialistëve i kryeson Fatmir Xhafaj, i cili fitoi mandatin e deputetit duke thyer herësin e vendosur nga partia. Deri tani, ai ka grumbulluar mbi 12 500 vota, ndjekur nga Belinda Balluku me mbi 12 400 vota dhe Ornaldo Rakipi me mbi 11 600 vota.
Listën e PD-së në këtë qark, e kryeson Lulzim Basha me 12 200 vota, ndjekur nga Agron Shehaj me mbi 10 mijë vota.
Në Shkodër, Tom Doshi rezulton kandidati më i votuar, me 7886 vota, i ndjekur nga Paulin Sterkaj me 7335 vota, dhe Bardh Spahija me 7219 vota.