Në Qarkun e Elbasanit janë numëruar deri tani 359 kuti nga 511 për votat preferenciale, të cilat do të përcaktojnë deputetët e ardhshëm nga listat e partive.
PS arriti të marrë 8 deputetë në Qarkun e Elbasanit dhe sipas shifrave aktuale, asnjëri prej kandidatëve të renditur pas Taulant Ballës, i cili është i teti, nuk pritet të kalojë herësin, që në këtë qark për PS është 10778 vota. Aktualisht, Taulant Balla është më i votuari me 13602, ndërsa pas tij renditet Saimir Hasalla.
Tjetër situatë është te Partia Demokratike, aty ku Luçiano Boçi kërkon mandatin edhe pse renditet i teti në listë. PD në këtë qark ka marrë 6 mandate, ndërsa Boçi deri tani ka marrë 6582 vota dhe synon të arrijë herësin që është 9646.
Dashnor Sula, i cili e ka të sigurt mandatin, pasi ishte i katërti në listë, është edhe më i votuari në këtë qark me 7007 vota. Ndërkohë, Gazment Bardhi, i cili është drejtuesi politik i PD-së në Elbasan dhe i pari në listë, ka arritur të marrë 2697 vota.
Qarku Vlorë
Në Vlorë, ku PS ka siguruar 8 mandate, kur janë për t’u numëruar edhe 36 kutitë e fundit, Edi Rama është më i votuari me 11269 vota, i dyti renditet Damian Gjiknuri, ndërsa nuk pritet të ketë surpriza në listë.
Nga PD, e cila ka marrë 4 mandate, Bujar Leskaj është më i votuari me 5025 vota. Ndërkohë, edhe te PD nuk pritet të ketë lëvizje në listë, pasi herësi është 8 mijë vota dhe askush nga kandidatët nuk pritet ta arrijë.
Qarku i Fierit
Në Qarkun e Fierit, ndarja e mandateve është 9 mandate për Partinë Socialiste dhe 6 për Partinë Demokratike, si dhe një mandat për LSI-në.
Nga PS, kur janë numëruar 315 nga 580 kuti deri në orën 17:00, më i votuari në këtë qark është Erion Braçe me 6452 vota, ndërsa Ruçi renditet i dyti me 4338. Braçe është i sigurt deputet, ndërsa Ruçi ishte i dhjeti në listë dhe duhet të arrijë herësin me 10174 vota. Te PD më i votuari është Agron Kapllanaj, i cili renditet i shtati në listë dhe me shumë mundësi do të kalojë herësin me 10780 vota, pasi deri tani kur janë numëruat pak më shumë se gjysma e kutive, ka arritur të marrë 7205 vota dhe pritet të zhvendosë listën, duke lënë jashtë saj Ilda Dhorin që renditet e gjashta.