Kryesore Kuvendi lë pezull mandatin e Xhaçkës, kryetarja e Kushtetueses: E paimagjinueshme

Kuvendi lë pezull mandatin e Xhaçkës, kryetarja e Kushtetueses: E paimagjinueshme

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, u shpreh sot në një konferencë me gazetarët se është e paimagjinueshme që të mos respektohen vendimet e këtij institucioni, që kanë vlerën e ligjit. Duke iu referuar zvarritjes që i ka bërë Kuvendi, vendimmarrjes për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, Zaçaj u shpreh:

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë dhe janë përfundimtare. Do të thotë që ato janë të zbatueshme.

Nuk ka ekuivok në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që janë përcaktuar si të tilla, kanë forcën e ligjit dhe nuk mund të diskutohen, vetë Kushtetuta nuk i ka dhënë gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e GJK janë të zbatueshme. Nuk do të komentoj më tej”.

Kur kanë kaluar 13 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, zvarritjet e Kuvendi vijojnë.