Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të ish-Presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë të shtunën.
“Në nder dhe respekt të ish-Presidentit të Republikës, ish-ministrit dhe ish-kolegut të këtij parlamenti, Bujar Nishani, ju ftoj të mbani një minutë heshtje”, tha Ermonela Felaj, e cila drejton këtë të hënë seancën plenare.
Trupi i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani pritet të mbërrijë në atdhe të martën. Ish-Presidenti Nishani vdiq në spitalin universitar Charite në Berlin, një ndër spitalet më të njohur në Gjermani, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficensës polmonare të theksuar, çka solli dhe vdekjen e tij ditën e shtunë.
Për vdekjen e tij pati një numër të madh mesazhesh ngushëllimi.
Ish-Presidenti Nishani do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare. Për këtë, Këshilli i Ministrave pritet të marrë një vendim të posaçëm, për t’i bërë ish-kreut të shtetit nderimet e duhura.