Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 76 vota për rezolutën për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.
Përkrahje rezolutës i dhanë edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK.
PDK nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme, ndërsa Lista Serbe ka braktisur seancën.
8 pikat e rezolutës kanë këtë përmbajtje:
-Referendumi cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe normat ndërkombëtare.
-Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet të ndërmerren veprimet për të mos lejuar cenimin e sovranitetin dhe rendin kushtetutës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës.
-Kuvendi thekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Kosovës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
-Vihet në pah e drejta e qytetarëve me dyshtetësi të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e votës.
-Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës dhe përfshirja e strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës dhe praktikave ndërkombëtare.
-Kundër veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Kosovës.
-Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë.
-Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve.
Referendumi në Serbi dhe kërkesa e ndërkombëtarëve
Në Serbi më 16 janar zhvillohet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës, aktit më të lartë ligjor të shtetit.
Ndryshimet e parashikuara kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe synojnë të përshtatin legjislacionin me atë evropian, si pjesë e procesit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Një ditë më parë Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më ndërmjetësimin e OSBE-së.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me praktikën e vendosur”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.
Edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, kërkoi të njëjtën gjë nga qeveria e Kosovës.