Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur garën për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shkaktuar nga mbarimi para afatit ligjor i mandatit të gjyqtarit Fatos Lulo.
Pas kërkesës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi bërë më 9 gusht të këtij viti, Kuvendi rishpalli hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në total, nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi propozon 3 anëtarë, po aq sa edhe Presidenti i Republikës, ndërsa 3 të tjerë caktohen nga Gjykata e Lartë.
Aktualisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po bën vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e 6 kandidatëve, nga të cilët do të zgjidhen katër anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të shqyrtojë një sërë çështjesh të rëndësishme, si vlefshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit, por edhe shkarkimin e parashikuar të Presidentit nga ana e Parlamentit.