Kryesore Kuvendi rikthehet normalitetit pas 6 muajsh, Basha: Mos përsërisni skenarin e 2008

Kuvendi rikthehet normalitetit pas 6 muajsh, Basha: Mos përsërisni skenarin e 2008

Pas më shumë se 6 muajsh flakadanë, karrige të grumbulluara në Foltore, Kuvendi i është rikthyer normalitetit. Si rrjedhojë e marrëveshjes së arritur mes Rithemelimit dhe qeverisë, sot seanca plenare është karakterizuar nga debate, ashtu dikurse do duhet të funkiononte edhe përgjatë këtyre muajve.

Por, tashmë që “Rithemelimi” i është rikthyer normalitetit, është grupimi i Lulzim Bashës i pakënaqur me atë se çfarë po ndodh në parlament. Ai foli në Foltoren e Kuvendit duke dhënë një mesazh të qartë politikanëve, “mos përsërisni marrëveshjen e 2008”, mes Edi Ramës dhe Sali Berisha.

“6 muaj 1/8 e kësaj legjislature të kaluar ashtu siç kaloi. Pyetja e parë: a ishin këta more apo ishin të tjerë? Për shqiptarët ka rëndësi një parlament funksional. Çfarë çmimi kanë paguar shqiptarët për të arritur deri këtu? Jo këta por shqiptarët. Çmimi është i paimagjinueshëm. Këtë vit 7 miliardë euro do të dalin nga xhepat e shqiptarëve por se  sido të shpenzohen,  çfarë do të marrin dhe si do të marrin pensionistët, fermerët nuk patëm shansin ta diskutojmë. Ligji për komisionet hetimore u ndryshua duke vendosur një precedent të papranueshëm duke zeruar efektivitetin e komisioneve hetimore. Dëmi më i madh është ai që nuk duket. Pas një viti vendi në fushatë zgjedhor. Kodi zgjedhor në përfitim të shqiptarëve është sakrifica më e madhe. Ndaj sot kam një thirrje hiqni dorë për një moment nga axhendat e ngushta partiake dhe jepini shqiptarëve një komision të reformës zgjedhore me parametra dhe me nje vëndimarrje dhe mos përsërisim skandalin e 2008 që erdhi pas një tjetër skandali dhe gjëme”, tha Basha.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Enkelejd Alibeaj.

“Nuk mund të mos e përshëndes rikthimin e normalitetit në parlament. Por duhet të jetë real. Anormaliteti vazhdon kur parlamenti hesht. Sot është dita e fundit e reformës zgjedhore. Duket qartë pakti dhe marrëveshja. Heshtja. Ky parlament e ka për detyrë të deklarojë edhe dështimin e reformës ku detyrën e keni ju për të nxjerrë në rend dite produktin e reformës projektligjin e propozuar nga PD, 5 muaj më parë. Ne kemi depozituar variantin tonë listat e hapura, Shqipëria një zonë, votimi numërim elektronik, vota e diasporës. Kërkesa ime për procedurë është që sot të marrim kurajë dhe të votojmë edhe kundër të flasim shqiptarëve ashtu siç duhet. Të pranojnë pra që nuk duan listat e hapura, votën e diasporës, pranojnë pra që ti dhurojmë 6 mandate Edi Ramës me këtë sistem. Dhe të dalim pastaj përpara shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, përgjigjen e dha e deleguara e tij, Elisa Spiropali. Sipas saj, këto akuza të Bashës dhe Alibeajt janë qesharake pasi për marrëveshjen e 2008 të dy kanë zgjedhur të heshtin, pasi në atë kohë kanë pasur pushtet.