Policia greke ka identifikuar autorin e vrasjes së 51-vjeçarit shqiptar në Selanik, i cili rezulton të jetë shqiptar gjithashtu. Mediat greke shkruajnë se autori i vrasjes jashtë një karburanti, mësohet të jetë i njohur për policinë, me precedentë të më parshëm penalë.
Ndërkohë, mediat greke kanë publikuar edhe një foto të autorit. Sakaq, hetimet për zbardhjen e krimit po vijojnë, ndërsa policia ka nisur kontrollet për kapjen e autorit, pasi materialet vizuale nga kamera e sigurisë së karburantit kanë ndihmuar në identifikimin e autorit.
Në të njëjtën kohë, policia ka dhënë urdhër për mbylljen e kufijve, pasi si sulmuesi ashtu edhe bashkëshortja e tij, që ndodheshin në makinën që ai drejtonte, vijnë nga Shqipëria dhe ekziston frika se do të ikin në shtetin fqinj.
Një video tronditëse, nga vrasja e 51-vjeçarit në një pikë karburanti në Selanik u publikua nga mediat. 51-vjeçari shihet duke iu afruar një makine me ngjyrë të errët, makinë që është e palëvizshme dhe po debaton me shoferin.
Teksa tenton të godasë me një send drejtuesin e mjetit, duke futur duart nga dritarja e hapur e mjetit, ai qëllohet dhe bie i vdekur në rrugë. Më pas shoferi largohet me shpejtësi dhe zhduket.
Bëhet e ditur se në vendin e vrasjes janë gjetur dy gëzhoja. Oficerët e EL.AS. po hetojnë si version mbizotërues se viktima dhe autori kanë pasur përplasje personale apo financiare.