Presidenti Ilir Meta tha sonte se tubimi i thirrur në 8 dhjetor në sheshin “Demokracia”, në Qytetin Studenti nuk do të organizohet.
Presidenti shprehet se ky nuk është momenti i duhur për të tërhequr njerëzit që po ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre për t’i nxjerrë në shesh. Por nga ana tjetër theksoi se ideja e referendumit nuk ndryshon dhe qytetarët do të thirren në një moment tjetër.
“Kjo situatë e krijuar pas tërmetit prevalon mbi çdo lloj iniciativë tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe që po ndeshet vendi dhe mijëra familje. Kjo është prioritare dhe nuk është koha apo momenti për të krijuar, apo mbajtur një fokus tjetër. Kjo nuk do të thotë që unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do ti çojë shqiptarët para dhe do ti bëjë të ndihen zot të vendit të tyre, por nuk është koha në 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga ndihma që po i bëjnë bashkëqytetareve të tyre”, tha presidenti Meta në emisionin “Përballë” në RTSH.