Gjashtë pacientë kanë lënë ditën e sotme spitalin Infektiv në QSUT, të shëruar nga COVID-19.
Pas testit konfirmues në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga i cili kanë rezultuar negative për COVID-19 mbrëmjen e djeshme, sot 6 pacientë të shtruar në Infektiv janë kthyer në shtëpi.
Në total deri tani janë 31 të prekur nga COVID-19 (në spital dhe të vetëizoluar) të cilët janë shëruar.
Ministria e Shëndetësisë thotë se pacientët e shëruar duhet të qëndrojnë të vetëkarantinuar edhe për 14 ditë të tjera.
Lajmi u përcoll nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një postim në Facebook.
“Lajm i mirë! Gjashtë pacientë kanë lënë sot spitalin infektiv të shëruar nga COVID-19.
Deri tani 31 qytetarë e kanë fituar betejën me sëmundjen e vështirë.
FORCA ekipit të mjekëve të Infektivit”