Pacienti i parë me koronavirus në Shqipëri është duke u shëruar.
Tamponi i parë i pacientit zero ka dalë negativ. Pas 48 orësh pritet edhe analiza e dytë, ku edhe do të konfirmohet përfundimisht. Personi i shëruar është babai i 31-vjeçarit që erdhi nga Firence.
Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Një lajm i mirë! Kontakti i parë i pacientit zero që kurohet në spitalin infektiv doli negativ në testin e parë. Nëse edhe në testin e dytë pas 48 orësh ky rezultat do të konfirmohet, atëherë do të kemi të shëruarin e parë. Të presim dhe të lutemi që zoti t’u japë forcë të sëmurëve dhe heronjve me bluza të bardha, në vijën e zjarrit me armikun. Durim, besim dhe durim, durim, durim!”, shkruan Rama.
Edhe Manastirliu bëri me dije se pacienti i parë me Covid-19 është në rrugën drejt shërimit. Sipas ministres, kontakti i parë i pacientit zero rezultoi negative në testin e parë pas trajtimit.
“Pacienti i parë nis rrugën e shërimit nga #COVID-19. Rezulton negativ në testin e parë pas trajtimit, kontakti i parë i pacientit zero që u identifikua me koronavirusin e ri në Shqipëri. Bravo ekipit të spitalit infektiv”, shkruan ministrja në Facebook, ndërsa ka dhënë edhe rezultatin negativ të testeve për 17 mjekët dhe infermierët e spitalit rajonal të Fierit. 17 pjesëtarë të stafit u vetëkarantinuan pas rastit të një 61 vjeçareje të infektuar me COVID-19, e cila nuk deklaroi që kishte ardhur nga Italia dhe kishte marrë ndihme në këtë spital.