Një tjetër yll shkëputet nga bota e tenisit. Andy Murray ka vendosur t’i thotë lamtumirë sportit që dashuronte më shumë.
Britaniku organizoi një konferencë ku i përfshirë nga emocionet dhe lotët njoftoi se ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga tenisi i luajtur.
31-vjeçari shpreson që fizikisht të jetë i aftë të zhvillojë edhe turneun e Wimbledonit e më pas të largohet, por gjasat janë të shumta që djaloshi nga Glasgou të mënjanojë përgjithmonë raketën tenisit menjëherë pas “grand slamit” të Australisë që nis prej pak ditësh.
“Dhimbjet që ndjej në kockat e legenit janë shumë të mëdha dhe të papërballueshme. Dua ta mbyll në Wimbledon por nuk e di nëse do ja dal të luaj deri atëherë, ekziston mundësia që të tërhiqem menjëherë pas “Australian Open””.
Vërtetë emocionuese edhe disa nga arsyet se pse Andy Murray vendosi të braktisë sportin e zemrës
“Po tërhiqem sepse dua të jem i aftë të kryej gjërat më normale pa ndjerë dhimbje, si psh të lidh këpucët, kam vërtetë shumë dhimbje dhe nuk jam në gjendje të mirë, edhe ndërhyrja që kreva vitin e kaluar nuk më ka përmirësuar aspak, nuk dua të rrezikoj më shumë shëndetin tim.”
Problemet e skocezit nisën një vit më parë ku qëndroi për 6 muaj jashtë më pas u kthye në qershor, por në shtator vendosi sërish të mos luante për të vijuar terapitë.
Andy Murray në karrierën e tij ka fituar tre turne “Grand Slam”, 2 herë Wimbledonin më 2013-ën dhe 2016-ën dhe një herë US Open në vitin 2012, teksa ka në muzeun personal edhe dy medalje të arta olimpike të fituara në Londër dhe Rio de Janeiro.
Më 2016 ai u bë britaniku i parë që renditej në majën e klasifikimit të shoqatës së tenistëve profesionist.