Sport Allegri konfirmon rotacionin në Kupën e Italisë: Ronaldon nuk e komentoj për...

Allegri konfirmon rotacionin në Kupën e Italisë: Ronaldon nuk e komentoj për gjërat private

| Nga American Eye
Shpërndaje

Juventusi po përgatitet për ndeshjen e nesërme kundër Bolonjës, e vlefshme për Kupën e Italisë. Në “Dall’Ara” do të jetë një përplasje “e thatë”, me fituesin e ndeshjes që do të hyjë direkt në çerekfinale të kësaj gare. Vendësit kanë luajtur tashmë dy raunde të Kupës së Italisë, duke eliminuar Padovën dhe Crotone, pa vuajtur shumë. Nga ana e tyre, bardhezinjtë i bashkohen në këtë “stacion” kompeticionit në fjalë.

Në konferencën për shtyp, Massimiliano Allegri donte ta niste fjalën e tij me ndeshjen kundër Bolonjës. Për trajnerin e Juventusit nuk ka alibi, madje as në Kupë: “Ne duhet ta përballojmë ndeshjen kundër Bologna në mënyrën më të mirë, duke e ditur se nuk do të ketë një mundësi të dytë (ndeshje kthimi). Kjo sfidë do të jetë e rëndësishme edhe për t’u përgatitur për Superkupën kundër Milanit”.

Massimiliano Allegri zbulon diçka edhe për lojtarët që do të hedhë në fushë nesër, duke e pasur një sy e një vesh nga Superkupa e Italisë: “Nesër, Moise Kean mund të luajë nga minuta e parë. Bonucci do të luajë, ndërsa Pjanic mbetet ende në dyshim. Nesër do të luajë Szczesny, pastaj, në vazhdim të Kupës së Italisë do të aktivizohet Perin, normalisht. Nuk do të ketë lojtarë, të cilët do të luajnë vetëm një herë. Për shembull, edhe Spinazzola mund të luajë. Alex Sandro dhe Joao Cancelo do të rikthehen në Superkupë”.

Trajneri i Juventusit është marrë në pyetje edhe për gjendjen e Cristiano Ronaldos jashtë fushës së futbollit, me policinë e Las Vegas-it që urdhëroi testin e ADN-së për sulmuesin portugez. Ai nënvizoi: “Unë e shoh Cristiano Ronaldon shumë të qetë, mund të flas për të vetëm sa i takon fushës. Nesër do të luajë kundër Bolonjës, edhe pse duhet të shoh se si dhe kur”.