“Do të doja të kisha një jetë më të qetë”, tha Sanna Marin kur dha dorëheqjen si kryeministre e Finlandës disa muaj më parë. E tashmë duket se ka rilindur, duke e realizuar këtë qëllim të saj. Pas divorcit, Sanna Marin është beqare dhe kjo për të do të thotë më shumë party, por kësaj here pa u penduar.
Së fundmi, 37-vjeçarja ka zbuluar se është duke u argëtuar me miqtë e saj në Festivalin Flow, një festival muzikor treditor në Helsinki. Liderja më e re në histori ka shpërndarë shumë foto të saja, në të cilat duket se po shijon jetën pa përgjegjësi dhe detyrime politike. Në fakt, siç tha ajo, ky është pushimi i saj i parë pas shumë kohësh.
Për çdo ditë të festivalit, Marin zgjodhi një stil të ndryshëm veshjeje. Ajo debutoi me një fustan të zi të guximshëm të tejdukshëm, siç shihet në fotot që ka shpërndarë në Instagram. Për ditën e dytë, ajo vendosi të shtojë më shumë ngjyra në një fustan rozë të stilit Barbie, të cilin e plotësoi me çizme të zeza.
“Këtë verë bëra një pushim të rregullt veror për herë të parë pas pak kohësh”, shkroi Marin në Instagram javën e kaluar. “Përfshinte, ndër të tjera, të qenit e zënë me (vajzën 5-vjeçare) Emën, sportin, miqtë, ushqimin e mirë dhe udhëtime të paharrueshme”.
Shumica e ndjekësve të saj e duartrokitën ndryshimin e ish-kryeministres së tyre.