600 punonjës të administratës, nga specialistë deri tek drejtues, janë larguar nga puna pas denoncimeve të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes për shkak të abuzimeve me detyrën.
“Janë sot që flasim mbi 600 individë, që nga nëpunës të nivelit të zyrave të kontakteve me qytetarët deri tek drejtues të këtyre zyrave, të cilët janë larguar pikërisht sepse nuk kanë qenë të denjë në shërbimin ndaj qytetarit. Patjetër ka plot të tjerë, por më duhet ta them se nga konstatimet tona në bazë të rezultateve, ka një përmirësim që ndjehet në shërbimet publike dhe kjo i dedikohet jo vetëm reformave që vazhdojnë, por edhe presionit të madh që vjen pikërisht nga bashkëqeverisja.”
Kryeministri në takimin e përjavshëm të bashkëqeverisjes inkurajon që për çdo rast abuzimi të konstatuar në sportelet e bashkëqeverisjes t’i denoncojnë pasi zërin e tyre sipas tij ka tanimë një qeveri që e dëgjon.
Që prej hapjes së saj në tetor të 2017 në platformën e bashkëqeverisjes janë denoncuar 41 mijë raste abuzimesh në sportelet e administratës publike dhe afro 30 mijë prej tyre kanë marrë zgjidhje.