Kryeministri i Australisë, Scott Morrison duhej të prezantonte paketën e katërt për të stimuluar ekonominë e vendit, por konferenca e tij për shtyp i ngjau më tepër një skeçi komik.
Një banor lokal u tha mediave dhe kreut të qeverisë që të largoheshin nga oborri i tij dhe veçanërisht nga kopshti.
“Mund të largoheni nga bari im. Ju lutem, sapo ka mbirë”, dëgjohet të thotë personi nga dera e banesës së tij në një zonë të quajtur Googong.
Kryeministri u bind shpejt duke ia bërë me dorë banorit dhe duke thënë se “gjithçka ishte në rregull”.
Morrison udhëtoi në një kantier ndërtimi shtëpish, 28 kilometra në jug të qytetit Canberra për të njoftuar se qeveria e tij do të shpenzojë rreth 700 milionë dollarë australianë për të mbështetur sektorin e ndërtimit.
Menaxhimi i emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia koronavirusi ka rritur mbështetjen e popullit ndaj tij sipas disa sondazheve të mediave në Australi.